Gjeopolitikë ballkanase në kohën e koronavirusit

Nga Stiliano Rushaj
Gjeopolitikë ballkanase në kohën e koronavirusit

Pandemia e koronavirusit ka sjellë pasojat të shumta në aspektin ekonomik, social e shëndetin publik për vendet e Ballkanit Perëndimor (BP).

Sistemet e tyre shëndetësore janë të dobëta, për shkak të politikave të paafta të menaxhimit,dhe kanë mangësi të shumta pajisjesh dhe mjetesh mjekësore për të përballuar këtë situatë të re.

Por përtej problemeve vendore, një sërë problemesh gjeopolitike për për vetë rajonin po injorohen.

Diplomacia tradicionale, e cila përdor instrumenta ekonomikë apo të sigurisë, ka nisur të zëvendësohet me një qasje të re që po përdorur instrumenta shëndetësore dhe po njihet me termin diplomacia e maskave.

Kjo ka krijuar një mundësi të artë për aktorë të tjerë ndërkombëtarë, të cilët mund të ndryshojnë dinamikat e stabilitetit dhe ndoshta të sigurisë së rajonit.

Reagimi i paqartë i Bashkimit Europian, për shkak të emergjencës së vetë vendeve anëtare, por edhe pragmatizmi tipik i udhëheqësve ballkanas krijuan një mundësi të artë për shfaqjen e Kinës dhe Rusisë me ndihma mjekësorë—secila me qasje jo thejsht humanitare por edhe strategjike dhe ushtarake.

Një avion me disa tonë materiale mjekësore mbërriti në Beograd së bashku me 6 mjekë kinezë mbrëmjen e 21 marsit. Në një skenë përtej imagjinatës, presidenti serb puthi flamurin kinez në shenjë falenderimi dhe iu drejtua presidentit kinez me fjalët e ngrohta “ i dashur vëllai kinez”.

Më tej ai u shpreh se “u pa e qartë se pa ndihmën kineze, Europa nuk do mund të na mbrojë, dhe ne nuk mund ta fshehim këtë, meqënëse ne nuk mund ta bëjmë këtë pa ndihmën e Kinës dhe vëllezërve kinezë.”

Pas shfaqjes propagandistike ”From Russia with Love” në Itali—ndonëse mediat dëshmuan se 80 për qind e ndihmave mjekësore ruse ishin materiale jo parësore—ndihmat ruse u shqafën në Beograd.

Rusia dërgoi disa herë ekspertë, mjekë dhe ushtarakë, dhe propagandoi se Serbia kërkon ta thellojë aleancën me Rusinë. Sipas organit të shtypit të ushtrisë ruse Ylli i Kuq, grupe të përbashkëta serbo-ruse kanë inspektuar gjithë territorin Serb për të dhënë nidhmë. Ushtria ruse pohoi gjithashtu se Rusia do të ofrojë  asistencë edhe në Serbinë e Jugut—një përcaktim ky që nënkupton Kosovën—çfarë përputhet me njoftimet e mediave kosovare për dërgimin të shtunën të 1 mijë testeve nga Serbia për veriun e Kosovës.

Nga ana tjetër, edhe pse vëmendja dhe mbështetja e aktorëve tradicionalë—demokracive perëndimore dhe Bashkimit Europian—nuk ka ka munguar për vendet e Ballkanit, propaganda në disa vende të rajonit është përpjekur ta zbehë atë, ndërkhë që thekson ndihmën kineze dhe ruse.

Ndoshta reagimi i BE-së në momentin e parë nuk qe efikas për t’i paraprirë reagimit ofensiv të Kinës dhe Rusisë për shkak të dinamikave të brendshme të saj, çfarë u shfrytëziua nga propaganda përmes keqinformimit të shpërndandarë gjërësisht.

BE-ja ka dhënë €700 milionë euro mbështetje për rajonin, nga të cilat €38 milionë financim i menjëhershëm për blerjen pajisjesh dhe materialesh mjekësore.

Po ashtu Komisioni Europian ka propozuar heqjen e autorizimit për eksportin e materialeve mjekësore për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi të maskat mbrojtëse, vendim që do të shqyrtohet më 26 Prill.

SHBA-të kanë dhënë gjithashtu mbështetje të madhe për të gjithë rajonin, me materiale mjekësore dhe instrumenta financiare. Vendet e rajonit kanë përfshirë në paketën $1.5 miliardë të ndihmës së qeverisë amerikanë për vendet partnere. Shqipëria, për shembull, ka marrë $1.9 milionë ndihmë të menjëhershme dhe një sasi materialesh mjekësore.

Por këto ndihma kanë gjetur më pak jehonë, për shkak të prirjes për të luajtur lojëra diplomatike të udhëheqësve thellësisht pragmatistë dhe me sjellje autoritariste që po e përdorurin krizën e koronavirusit për të thelluar pushtetin personal.

E gjitha kjo në kushtet kur në këto vende institucionet demokratike dhe vlerat liberale janë ende të brishta dhe të pakonsoliduara.

Nga ana tjetër rritja e ndikimit dhe pranisë ruse në Serbi, kryesisht ushtarake, do të rrisë gjasat e një pranie afatgjatë të saj edhe pas kalimit të krizës.

Nëse kjo do të ndodhë, do të krijohet një tension artificial që mund të rrezikojë stabilitetin rajonal, dhe do ta kthejë rajonin në një fushë të demonstrimit të forcës midis fuqive rajonale dhe botërore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>