Gjermania ka riatdhesuar tetë gra, të cilat i janë bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe 23 fëmijë, nga një kamp në veri të Sirisë, sipas REL.
Ata u kthyen përmes një operacioni të përbashkët me Danimarkën, e cila ka riatdhesuar tri gra dhe 14 fëmijë, kanë thënë zyrtarët gjermanë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas njoftoi se gratë po përballen me hetime penale.
Qindra evropianë që i janë bashkuar IS-it disa vjet më parë, tani janë nëpër kampe në veri të Sirisë.
Ata janë bartur atje bashkë me mijëra persona që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, pas mposhtjes së grupit militant, Shteti Islamik në Siri dhe Irak, në mars të vitit 2019.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka thënë se gratë dhe fëmijët kanë arritur në aeroportin e Frankfurtit të mërkurën nga kampi Roj i Sirisë.