Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet e vendosura në qershor 2018 për hapjen e negociatave. Ky është qendrimi i Bundestagut, parlamentit gjerman, i cili u bë publik vetëm pak orë pas publikimit të djeshëm të rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.
Ky qendrim duket qartë si një distancim i menjëhershëm i Gjermanisë nga raporti i KE-së, i cili po komentohet se ka fshehur apo anashkaluar problemet e vërteta që po kalon Shqipëria.
Në një deklaratë të bërë sot paradite, Johann David Wadephul, zëvendës kryetari i shumicës parlamentare CDU/CSU, duke ju referuar raportit pohoi:
Analiza e parë tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim, të caktuara nga ministrat e jashtëm të BE më 26 qershor 2018. Sistemi gjyqësor ende nuk funksionon. As Gjykata Kushtetuese as Gjykata e Lartë nuk punojnë.
As institucioni i anti-korrupsioni (SPAK) as institucioni i hetimi BKH-ja nuk janë krijuar. Ka përparim të vogël në hetimin e krimit të organizuar. Më tej, nuk ka asnjë veprim ligjor ndaj politikanëve dhe kriminelëve, të cilët u hetuan në fillim të vitit për blerje vote. Mbi të gjitha, ende nuk është miratuar ndryshimi i kodit zgjedhor i kërkuar nga ministrat e jashtëm.
Në zbatim të kësaj, Shqipërisë i duhet më shumë kohë për tu përgatitur për hapjen e bisedimeve. Vendi duhet të përpiqet për të përmirësur kushtet për një vendim pozitv të BE-së në shtator. Kjo përfshin edhe dialogun ndërmjet qeverisë dhe opozitës me qëllim zgjidhjen e krizës politike.
Disa javë më parë Bundestagu bëri të qartë se se ai nuk do të mund ta analizojë raportin e progresit të Shqipërisë para mbledhjes së Këshillit Europian të qershorit 2019. Ky vendim e bëri, praktikisht, të pamundur hapjen e negociatave në qershor, pasi kancelarja Merkel është e detyruar nga Kushtetuta të marrë mendimin e Bundestagut para se të vendosë në emër të Gjermanisë për çështjet e anëtarësimit.
Ne dekalaratën e stome Wadephul ka rikonfirmaur këtë qendrim. Ai u shpreh se Bundestagu “nuk do të shqyrtojë vendimin për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë të paktën deri në shtator.” Ky vendim është dakordësuar edhe me grupin kryesor të opozitës atë socialdemokrat.
Në një tjetër goditje të nënkuptuar ndaj raporit të Komisionit Europian Wardephul u shpreh se vendimi i tyre nuk do të varet nga shumë raporte dhe të dhëna të tjera, pra jo vetëm nga raport progresi:
Grupi parlamentar i CDU / CSU do të analizojë me kujdes raportet e përparimit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do t’i krahasojë ata me analizat e tjera në dispozicion të tij.
Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse kushtet e fillimit të bisedimeve të pranimit me të dy vendet janë përmbushur. Megjithatë, një analizë e tillë nuk mund të bëhet me ngut.
Ky qëndrim i fundit i Bundestagut duket se i bën edhe më të vakëta shpresat e pakta që Shqipërisë t’i hapen negociatat për anëtarësim brenda këtij viti. Përveç, Gjermanisë kundër hapjes së negociatave është edhe Franca dhe Hollanda, gjykuar nga qendrimet dhe deklaratat e kohëve të fundit të shumicave të tyre parlamentare.
Vendimi i parlamentit gjerman erdhi menjëherë pas prezantimit të raportit të përparimit dhe rekomandimit pozitiv të Komisioni të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.