Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, i bëri thirrje opozitës të mos bllokojë punimet për Reformën Zgjedhore, duke vënë kushte.
Në një intervistë për Report TV, Gjiknuri tha se PD-ja duhet të vijë në këshill me propozime konkrekte, dhe jo me kushte që pengojnë ecjen përpara të bisedimeve:
“PD nëse nuk i pëlqen drafti jonë, të vijë me propozime konkrete, ta përmirësojë atë dhe për mosmarrëveshjet t’ia adresojmë ODIHR-it. PD të mos vijë me kushte, por me propozime.”
Sipas Gjiknurit, për shkak të opozitës, këshilli ka humbur një javë punë, në këtë moment kur Reforma Zgjedhore duhet përfunduar sa më parë.
Gjiknuri mbroi dhe njëherë formulën e propozuar nga PS-ja të premten, për listat e kandidatëve për deputetë:
“Me këtë propozim, zgjedhësi ka të drejtë dy vota, një për partinë dhe një votë për individin, dhe ka një mekanizëm që rirenditje e partisë e bën zgjedhësi.
Janë të hapura 100 për qind. Lista ka një renditje, të gjithë vendet që kanë listat e hapura, ndërsa elektoratit i jepet mundësia që ta ndryshojë.”
Siç Exit News ka sqaruar më parë, propozimi i PS-së për ‘listat e hapura’ është praktikisht sistem me lista të mbyllura. Ai krijon vetëm një mundësi të vogël që ndonjë ndonjë kandidat shumë popullor që nuk behet dot deputet sipas renditjes së partisë të bëhet duke zëvendësuar fituesin e fundit nga lista e partisë.
Për të mësuar më shumë për propozimin e PS-së, lexoni këtu.