Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, theksoi sërish sot se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme me miratimin e reformes.
Duke folur pas takimit të tryezës katërpalëshe për reformën, Gjiknuri tha se ka mjaftueshëm kohë për të përgatitur siç duhet zgjedhjet e ardhshme, ndaj 15 marsi, afati i fundit për reformën, nuk është një afat i ngrirë:
“Ne kemi një vit e ca nga zgjedhjet e radhës, kështu që kemi kohë të mjaftueshme për të përgatitur zgjedhjet siç duhet.
Ka shumë çështje të pazgjidhura në tavolinë, por mos e shikoni 15 marsin si një datë që ne duhet të kemi draftin.
Në 15 mars është e rëndësishme që të kemi dakordësi politike për të gjitha çështjet. Do ishte mirë që në 15 mars t’i kishim të gjitha gati, por nëse ne kemi një dakordësi për të gjitha çështjet që kemi debate, për mua është sukses i arritur.”
Zoti Gjiknuri komentoi dhe temën e sot në tryezën katërpalëshe: financimin e partive politike. Ai tha se ka dakordërsi mes shumicës dhe opozitës për financimin miks, publik dhe privat, të partive, por duke shtuar monitorimin ndaj veprimeve financiare të partive:
“Parimi është që jemi për financim miks, na vjen mirë që edhe PD ka hequr dorë nga financimi 100% publik, problemi është të gjejmë një shifër të pranueshme, një balancë mes kontributit shtetëror dhe atij privat.
Ajo që ka rëndësi është që janë futur elementë të tjerë garancie që ishin edhe në ligjin e propozuar nga PD, monitorim më i imët, raportimi nga palët e treta, monitorim nga palët e treta, futja e tyre në proces, vendosja e një kufiri jo më shumë se 50 mijë lekë që është i detyruar të bëhet në bankë.”
Më herët sot, opozita publikoi propozimet e saj për sistemin e financimeve të partive, ku propozonte një sistem miks financimi.
Exit News ka përmbledhur pikat kryesore të propozimit të opozitës këtu.