Nëse shumica socialiste nuk do të mund të sigurojë 84 vota për të miratuar Reformën Zgjedhore, atëhërë do të bëjë kompromis me opozitën parlamentare duke pranuar kërkesën e tyre për lista të hapura kandidatësh për deputetë, në këmbim të votave për reformën.
Përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri, gjatë një vizite në Vlorë, u shpreh:
“Nuk përjashtoj mundësinë e listave të hapura nëse ne nuk gjejmë dot votat për të kaluar Kodin, natyrshëm që do të mundohemi të bëjmë kompromise me ta, përfshirë mbase edhe hapjen e listave, por është shumë shpejt për të folur. Por nëse nuk sigurojmë votat, është natyrshëm që duhet një kompromis, ose nuk do të kemi ligj zgjedhor.”
Gjiknuri tha se nëse do të hapen listat e kandidatëve për deputetë, do të vështirësohet shume nga ana teknike, procesi i numërimit të votave:
“Listat e hapura, nëse hapen me mënyrën që kërkon opozita, menaxhimi i numërimi i votave do të bëhet i vështirë, do të kërkojë ndërhyrje të tjera, në thjeshtimin e listave që paraqiten nga koalicionet. Opozita gjithmonë e ka kërkuar hapjen e listave, ne nuk kemi thënë se jemi kundër, por do konsensus më të gjerë, por me qëllim që Shqipëria të bëjë zgjedhje duhet të kalojë kodi, se sot nuk kemi kod.”
Deri më tani shumica socialiste bashkë me deputetë jashtë grupeve parlamentare që kanë shprehur votën pro, ka 78 vota nga 84 që duhen. Edhe një prej deputetëve të opozitës, Lefter Maliqi, ka deklaruar se do të votojë pro reformës.
Ndërkohë 3 kretarët e grupeve parlamentare të opozitës janë shprehur se 31 deputetët e grupeve të tyre nuk e votojnë Reformën Zgjedhore nëse nuk miratohen kërkesat e tyre, veçanërisht ajo për hapjen e listave të kandidatëve.
Ndërsa deputetët e tjerë, që nuk i përkasin ndonjë grupi parlamentar ende nuk janë shprehur se si do të votojnë.