
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj njoftoi të premten se qeveria ka kaluar një akt normativ, sipas të cilit gjobat për fiskalizimin fillojnë në janar.
Ndërkohë, prej janarit 2021 ka filluar fiskalizimi i subjekteve që lëshojnë fatura elektronike ndaj enteve publike dhe nga 1 korriku pritet fiskalizimi i subjekteve që paguajnë përmes trasfertave bankare.
Në një intervistë të premten për Euronews Albania, Ibrahimaj gjithashtu deklaroi se personat të cilët nuk kishin dorëzuar deklaratën e tatimeve deri në 30 qershor do të ishin subjekt i kamatvonesës prej 5 mijë lekësh të reja.
“Numri i personave që e kanë plotësuar deklaratën e të ardhurave vjetore është 56 045,” shtoi Ibrahimaj.
Deklarata tatimore zakonisht duhet të dorëzohet deri në 30 prill, por këtë vit u shty për në 30 qershor nga Drejtoria e tatimeve.