Ka nisur sot (2 qershor) sesioni i posaçëm i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi sfidat dhe masat për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Sesioni do të zgjasë tre ditë dhe ka për qëllim nxitjen e vullnetit politik të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara në avancimin e luftës kundër korrupsionit.
Shqipëria u përfaqësua në këtë sesion nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila lavdëroi punën e qeverisë kundër korrupsionit.
Gjonaj e vuri theksin te refoma në drejtësi si politika kryesore e qeverisë në luftën kundër korrupsionit.
“Kjo reformë ka shenjuar një pikë kthese në intensifikimin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Gjonaj.
Në këtë sesion folën figurat më të larta administrative të Asambesë së OKB-së, nga presidenti i saj Volkan Bozkir te Drejtorja Ekzekutive e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, Ghada Waly.
Përveç fjalimeve të përfaqësuesve të vendeve anëtare, sesioni konsiston në takime mes tyre dhe debate lidhur me eksperiencat e veçanta në përpjekjet për të kuptuar dhe luftuar korrupsionin.