Gjuetia e paligjshme nuk kursen as shpendët e rrallë

Nga Exit News
Gjuetia e paligjshme nuk kursen as shpendët e rrallë

Gjuetia, pavarësisht moratoriumit, nuk po kursen as shpendët e rrallë. Top-Channel raportoi rastin e denoncuar së fundmi pranë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (AZM) në Gjirokastër ku një vajzë kishte gjetur në rrugë një shpend të qëlluar me çifte.

Shpendi i llojit çafkë e natës ishte gjetur buzë liqenit të Viroit, rreth 5 kilometra në veri të Gjirokastrës. Vajza e kishte dërguar në zyrat e AZM-së, ndërsa veterineri që e operaoi konfirmoi se shpendi ishte goditur me armë.

Top-Channel raporton se prej muajsh qytetarë të shumtë kanë dëshmuar për të shtëna armësh në këtë zonë. Çafkat nuk janë shpendë të zakonshëm për gjuetarët. Kjo ngre dyshimet se në zonë po ushtrohet gjueti amatore, çka vë në rrezik sidomos për shpendët e rrallë.

Dy vite më parë mediat raportuan një rast të ngjashëm në Lagunën e Nartës, në Vlorë, ku gjuetarët kishin vrarë një pelikan kaçurrel, të konsideruar specie në zhdukje.

Kjo lloj gjuetie ndodh sidomos pranë pellgjeve ujore ku në shenjestër janë shpendët dimërues të ujit, llojet e çafkave dhe kredhësit. Fakti që speciet mbikqyren prej AZM vetëm në territoret e mbrojtura bën që territoret pa status mbrojtjeje të synohen më shumë prej gjuetarëve

Top-Channel thotë se gjuetia vijon të jetë aktive gjatë gjithë kësaj periudhe jo vetëm për shpendët e ujit por gjithashtu për derrin e egër, lepurin, kaprollin dhe thëllëzën.

Prej vitit 2014 Shqipëria ka ndaluar gjuetinë në të gjithë territorin. Moratoriumi ishte fillimisht dy-vjeçar, por u shty deri në vitin 2021. Kritika për moszbatimin e tij kanë shoqëruar vazhdimisht aktivitetin e Ministrisë së Mjedisit. Vitin e shkuar deputetë të mazhorancës vunë në diskutim rezultatet dhe kërkuan rishikimin e afateve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>