Gjykata e Lartë sipas mediave ka vendosur se Gjykata Administrative do të gjykojë nëse ish-kreu i Gardësë Ndrea Prendit dhe gardisti Agim Llupo, do të kthejë ose jo 2.1 milionë euro të paguara nga qeveria për të vrarët e 21 janarit.
Në nëntor 2018, Garda e Republikës riktheu procesin e 21 janarit në gjykatën e Tiranës duke i kërkuar Prendit dhe Llupos, që ata t’i paguajnë qeverisë paratë e paguar si dëmshpërblim për viktimat e 21 janarit.
Gjykata e Tiranës e pezulloi gjykimin e çështjes sepse ajo ndodhej në Gjykatën e Lartë. Në vitin 2016, qeveria Rama vendosi t’i japë familjeve të të vrarëve nga 525 mijë euro shpërblim.
Historiku i ngjarjeve të 21 janarit:
Më 21 Janar 2011, gjatë protestës së opozitës së atëhershme u vranë 4 protestues, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj nga Garda e Republikës pranë zyrës së Kryeministrit.
Protesta erdhi pas bërjes publike të një videoje të fshehtë të ish-Ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta me ish-Ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti ku pretendohej se flitej për favore në shkëmbim të parave.
Në dhjetor 2012, familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedes dërguan çështjen në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Në shtator 2013, Gjykata e Apelit dënoi me një vit burg ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe me tre vjet burg ish-gardistin Agim Llupo, me akuzën fajtor për vrasjen nga pakujdesia. Prendi dhe Llupo ishin të vetmit të dënuar për protestën e 21 janarit 2011.
Në prill 2016, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili dënoi me një vit burg ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe me tre vjet burg ish-gardistin Agim Llupo, me akuzën fajtor për vrasjen nga pakujdesia.
Në korrik 2016, familjarët e Aleks Nikës, një nga katër viktimat, e dërguan çështjen në Gjykatën e Starsburgut. Ata akuzuan ish- kryeministrin Berisha dhe ish – Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për mosekzetkutim të urdhërave të arrestit, fshehje të provave dhe pengim të hetimeve.
Po në vitin 2016, qeveria Rama vendosi t’i japë familjeve të të vrarëve nga 525 mijë euro shpërblim.
Në prill 2017, Gjykata e Strasburgut vendosi mbylljen e çështjes Ana, Klajdi dhe Çaush Veizit dhe Zabit Dedes, familjarëve të dy viktimave të 21 janarit kundër qeverisë shqiptare dhe detyroi shtetin shqiptar ti dëmshpërblente dy familjet me rreth 109 mijë euro.
Në dhjetor 2017, qeveria Rama vendosi të paguajë kompensimin e parashikuar nga GJEDNJ për dy familjet.
Në dhjetor 2017, qeveria Rama akordoi dhe një shtesë prej 970 mijë eurosh si kompensim për familjet e katër viktimave.
Në nëntor 2018, Garda e Republikës riktheu procesin e 21 janarit në gjykatën e Tiranës duke i kërkuar ish-kreut të saj Ndrea Prendit dhe gardistit Agum Llupo të kthejnë në arkën e gardës faturën prej 2.1 milion euro që garda ka paguar si dëmshpërblim për viktimat e 21 janarit.