Gjykata e Apelit të Shkodrës ka urdhëruar Prokurorinë të nisë hetimet në Bashkinë e Vaut të Dejës për akuzat e PD mbi rritjen e numrit të administratës për qëllime zgjedhore.
PD pretendon se Bashkia e Vaut të Dejës ka shtuar numrin e personave të punësuar me qëllime zgjedhore.
“Punësimet masive në administratë, bursat, ndihma ekonomike, leje, licenca u përdorën të gjitha në funksion të partisë në pushtet”, tha përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu pas vendimit të Apelit.
Përfaqësuesi i PD deklaroi se provat e dorëzuara prej dy vitesh në prokurori nuk hetoheshin dhe çështja ishte mbyllur.
Logu vuri në dukje se Bashkia ka punësuar persona që nuk jetojnë në Shqipëri.
Pas vendimit të Apelit prokuroria pritet të nisë hetimet në Bashkinë e Vaut të Dejës e cila drejtohet nga Mark Babani i Partisë Socialiste.
Ky i fundit akuzohet nga PD se ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Sicili, për vjedhje makinash dhe ka ka kërkuar heqjen e mandatit të kryebashkiakut nga KQZ.
Verifikimi i tij nga prokuroria nuk ka përfunduar ende megjithëse denoncimi është bërë në vitin 2019.