Gjykata e Strasburgut do të shqyrtojë me 31 maj kërkesën e ish anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj që çështja e saj të rishqyrtohet nga Dhoma e Madhe.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, një kolegj i përbërë nga 5 gjyqtarë do të vendosë nëse kërkesa e Xhoxhaj është apo jo e bazuar.
Sipas rregullave të Gjykatës së Strasburgut, ky kolegj shërben si organ filtrues që seleksionon çështjet që do të shqyrtohen nga Dhoma e Madhe.
Pas vendimit të datës 9 Shkurt 2021 nga “shkalla e parë” e GJEDNJ-së ose Dhoma e përbërë nga 7 gjyqtarë, Xhoxhaj dorëzoi në GJEDNJ kërkesën që çështja të rishqyrtohet nga Dhoma e Madhe e cila përbëhet nga 17 gjyqtarë.
Nëse ky kolegj pranon kërkesën e Xhoxhaj, Dhoma e Madhe do të vendosë nëse ka pasur ose jo shkelje të Konventës gjatë procedurës së Vettingut.
Shkalla e parë e GJEDNJ-së, vlerësoi se organet e vetingut në Shqipëri janë krijuar në mënyrë të ligjshme.
Gjykata u shpreh se nuk ka shkelje te procesit të rregullt ligjor dhe se KPK dhe KPA kishin vepruar në përputhje me ligjin në rastin e Xhoxhajt.
Ky është vendimi i parë ndaj procesit të vetingut.
Xhoxhaj, e shkarkuar nga vetingu, ankimoi vendimin për shkarkim të KPK-së dhe KPA-së në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjyqtarja Xhoxhaj pretendon se ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë procesit të vetingut nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.
Altina Xhoxhaj u shkarkua nga detyra më 3 maj 2018 për shkak të problemeve me pasurinë. Vendimi u mor nga trupa e KPK-së Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi e Genta Bundo.
Gjyqtarja Xhoxhaj u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një aparatment, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të të dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.