Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm Ratko Mlladiç, një nga figurat më famëkeqe të luftës në Bosnje ku humbën jetën më shumë se 100 000 njerëz.
Mlladiç, i njohur ndryshe si “Kasapi i Bosnjës”, ishte dënuar në 2017 me burgim të përjetshëm, për organizimin e krimeve gjatë Luftës së Bosnjës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë në 1995, ku forcat e tij vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem muslimanë boshnjakë.
Mlladiç apeloi vendimin, por çështja ishte vonuar vazhdimisht nga gjendja e tij shëndetësore dhe së fundmi, nga pandemia e COVID-19.
Sot, apeli i Gjykatës me seli në Hagë rrëzoi kërkesat e avokatëve të Mlladiç duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjeshtshëm.
Apeli rrëzoi gjithashtu kërkesën e prokurorisë të cilët kërkuan që Mlladiç të dënohej për gjenocid jo vetëm në Serbrenicë por dhe në zona të tjera ku forcat serbe të Bosnjës nën komandën e tij torturuan, burgosën, vranë dhe dëbuan popullsi joserbe.
Ndërsa ishte akuzuar për krime lufte në 1995 nga gjykata Jugosllave e krimeve të luftës, Mlladiç u fsheh dhe iu shmang drejtësisë deri në 2011, kur u kap dhe u dorëzua në Hagë.
Për masakrën e Serbrenicës dhe krime të tjera në Bosnjë është dënuar më herët me burgim të përjetshëm edhe ish-presidenti i Republikës Srpska, Radovan Karaxhixh.