Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryetarit të Bashkisë Vorë, Gentian Picarin, emëruar nga ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku, në shkelje të ligjit.
Gjykata ka pranuar kështu padinë e dy zëvendëskryetarëve të tjerë të Bashkisë, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, të cilët e akuzonin Kajmakun për ‘falsikim të vulave’, ‘falsifikimi të dokumentave’ dhe ‘kryerje të funksionit shtetëror pas përfundimit të afatit’.
Sipas vendimit të Kajmakut, më 31 tetor 2019, ai shkarkoi 2 nënkryetarët, të quajtur nga media si të deleguar të PS-së në Vorë, dhe emëroi si nënkryetar të vetëm Gentian Picarin, ish-shefin e kabinetit dhe të besuarin e tij.
Mëngjesin e 1 nëntorit Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi shkarkimin e Agim Kajmakut për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
Më 6 nëntor Kajmaku u kallëzua nga ish-nënkryetarja Laureta Omeri për “falsifikim dokumentash” dhe “ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.
Pas hetimeve prokuroria gjeti se Agim Kajmaku në të vërtetë, e ka emëruar Gentian Picarin si nënkryetar dhe ka shkarkuar dy nënkryetarët e tjerë mëngjesin e 1 nëntorit, pasi ishte shkarkuar nga detyra dhe më pas ka ndërhyrë në librin e protokollit të bashkisë për të bërë të duket se vendimi është dhënë më 31 tetor.
Po ashtu, Prokuroria e Tiranës ngre dyshime se në librin e protokollit është ndërhyrë me fraksion edhe në numra të tjerë protokollik duke shpallur edhe fitues tenderësh.
“Përveç sa më sipër në librin e korrespondencës është ndërhyrë me fraksion edhe në numra të tjerë protokolli, duke shpallur fitues tenderi etj., veprime që janë bërë nga ish-kryetari i Bashkisë Vorë”, shkruan Prokuroria.
Prej 11 nëntorit zoti Kajmaku është në arrati, ndërkohë që Gjykata e Apelit ka dhënë masën arrest me burg në mungesë. Për arrestimin e tij dështuan dhjetëra aksione policore të cilat dyshohen se u dekonspiruan.