Në reagimin e parë pas grabitjes së të paktën 2 milionëve euro në Rinas më 9 prill, Ministri Lleshaj fajësoi kompaninë koncesionare se dështoi të sigurojë perimetrin e aeroportit dhe nuk njoftoi në kohë policinë e shtetit.
Më 10 prill, Zoti Lleshaj deklaroi:
“Në lidhje me ngjarjen dje në Rinas, nuk ka funksionuar sistemi i sigurisë së koncesionarit. Kompania kineze e sigurisë ka dështuar në misionin e saj. Nuk është sinjalizuar policia për rastin, edhe pse duhej bërë.”
Për më tepër Zoti Lleshaj tha se ndër vite, kompania koncesionare ka refuzuar të zbatojë kërkesat e policisë së shtetit për të rritur sigurinë në aeroport:
“Koncesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herpashershme të policisë së shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, porn ë shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë përgjigje formale.”
Kundërpërgjigja e Aeroportit të Rinasit ishte e menjëhershme. Me anë të një deklarate për shtyp, TIA mohoi akuzat e ministrit Lleshaj dhe drejtorit të Policisë Veliu se policia nuk është lajmëruar në kohë, apo se kompania koncesionare nuk ka kushtet e duhura të sigurisë. Madje TIA sqaroi se në auditet e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, institucion nën varësinë e Ministrisë së Transportit, kompania koncesionare ka dalë në rregull për kushtet e sigurisë:
“TIA ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer në kohë kundrejt sallës operative të policisë në Rinas.
Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve. Eshtë pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme e vlerësojmë si të pasaktë.
TIA në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues.”
Përplasja dhe mospranimi i përgjegjësisë nga asnjë prej institucioneve ngjan me reagimet e ish-ministrit Tahiri dhe TIA-s në vitin 2016, pas grabitjes së një tjetër sasie parash në Rinas më 30 qershor 2016.
Njësoj si Lleshaj, dhe Tahiri fajësonte kompaninë koncesionare dhe hiqte përgjegjësinë nga policia e shtetit:
“Teste të njëpasnjëshme kanë treguar dobësi themelore të sigurisë për shkak të përgjegjësisë direkte të koncesionarit dhe asaj kompanisë që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të ruajtur sigurinë në Aeroportin e Rinasit – dhe ndërkohë ka dështuar ta bëjë këtë punë.”
E ngjashëm me përgjigjen e kësaj radhe, dhe në qershor 2016 kompania koncesionare u shpreh se ka njoftuar në kohë policinë dhe ka zbatuar të gjithë rregullat e sigurisë:
“TIA ka ndjekur me shqetësim raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit, mbi raportimin – më së paku të pasaktë – të ngjarjes në fjalë. Duam të theksojmë se në zbatim të përgjegjësive dhe detyrimeve të Kontratës së Koncesionit,[…] TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë.”
Pra duket se ngjashëm si në vitin 2016, institcionet do të mjaftohen me hedhjen e përgjegjësisë tek njëri-tjetri, pa arritur të zbardhin ngjarjen, të kapin autorët apo të sigurojnë kushtet e nevojshme të sigurisë në aeroportin e vetëm kombëtar në vend.