
Dogana greke do të vijojë punën dhe natën për të lejuar emigratët shqiptarë të kalojnë kufirin.
Lajmin e bëri publik kryeministri Rama, i cili tha se ky lëshim nga pala greke vjen pas negociatave mes dy qeverive. Në një postim në Tëitter, Rama shkruan:
“Gjatë gjithë ditës kemi bashkëpunuar me palën greke në çdo nivel. Kemi gjetur mirëluptim e gatishmëri dhe faktin është se e njëjta situatë është edhe në kufijtë e tjerë të Greqisë. Faleminderit për vazhdimin e punës gjatë natës sot dhe lutemi mirëkuptimin e qytetarëve në vijim!”
Po ashtu, Ministria e Jashtme ka njoftuar se kufiri do të qëndrojë i hapur vetëm gjatë natës së sotme dhe se duke nisur nga e hënë, 17 gusht, do të lejohen vetëm 750 qytetarë në ditë, të kalojnë kufirin grek në Kakavijë dhe vetëm 300 qytetarë në ditë në Kapshticë.
Prej disa ditësh, dogana greke po punonte me orar dhe staf të reduktuar, duke qëndruar hapur vetëm nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes.
Kjo, si dhe vendimi i Greqisë për të vënë në karantinë të detyruar 7-ditore të gjithë ata që hyjnë në vend pas 16 gushtit, shkaktuan dyndje dhe radhë kilometrike në kufirin e Kakavijës.
Prej 3 ditësh, emigrantët shqiptarë kanë fjetur në makina dhe kanë qëndruar gjithë ditë në temperatura të larta për të kaluar kufirin për në Greqi.