Greqia, Qiproja dhe Izraeli marrëveshje për gazsjellës, kundërshtohet nga Turqia

Nga Redaksia
Greqia, Qiproja dhe Izraeli marrëveshje për gazsjellës, kundërshtohet nga Turqia

Greqia, Qiproja dhe Izraeli firmosën të enjten marrëveshje të përbashkët për projektin e gazsjellësit “EastMed”, që parashikon furnizim deri në 12 miliardë metra kubë gaz nga lindja e Mesdheut drejt Evropës. Marrëveshja kundërshtohet nga Turqia, e cila ka qenë tejet aktive në zhvillimin e rrugëve të reja të gazit për Evropën dhe sapo kishte arritur marrëveshje detare me Libinë mbi një zonë të madhe të pasur me gaz në det.

Tubacionet e projektit “EastMed” parashikohet të zgjaten rreth 2,000 kilometra nga Izraeli, Qiproja, Greqia e më pas drejt Italisë, pjesa më e madhe nën ujë.

Projekti do të kërkojë një investim prej rreth 6-7 miliardë dollarësh dhe nëse nis ndërtimin në vitin 2022 do të përmbyllet në vitin 2025.

Projekti i gazsjellësit East-Med. Zona me vija pjesa ku ka pretendime Turqia.

Ai dublon projektin Trans-Anatolian (TANAP) dhe Trans-Adriatik (TAP), të cilat transportojnë gaz nga Azerbajxhani përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë drejt BE-së. TANAP është përfunduar ndërsa TAP pritet të mbyllet këtë vit.

Zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay reagoi pas marrëveshjes duke theksuar se Turqia nuk do të lejojë asnjë aktivitet që cenon interesat e saj në rajon. Në këtë pikë zoti Oktay nënkuptoi zonat detare të pretenduara prej Turqisë në Qipron Turke dhe Libi.

“EastMed” do të ketë burim rezervat e hidrokarbureve të zbuluara në detin e Mesdheut Lindor rreth Izraelit dhe Qipros. Ai lë të hapur si mundësi edhe për zbulime të mundshme të reja në Liban dhe Kretë.

Ky projekt ka ngjallur përplasje për pasuritë e energjisë dhe mosmarrëveshje të re mes Qipros dhe Turqisë, e cila ka pjesën veriore të ishullit mesdhetar dhe pretendon pasuritë detare përreth.

Turqia tashmë përballet me sanksione të Bashkimit Evropian për anijet që kërkojnë naftë dhe gaz jashtë Qipros, qeveria e së cilës në Nikosia nuk njihet nga Ankaraja.

Në nëntor Turqia arriti marrëveshje me Libinë për të eksploruar zonat e saj detare në Mesdhe për rezerva hidrokarburesh. Greqia reagoi kundër kësaj marrëveshjeje duke larguar ambasadorin libian dhe duke i kërkuar Kombeve të Bashkuara të mbanin qëndrim.

1 koment

  1. tokesor 3 Janar, 2020 në 1:28 pm

    Pse nuk bien ne ujdi qe te gjithe te perfitojne nga pasurite natyrore. Detrat dhe oqeanet u perkasin te gjitha gjallesave te ketij planeti.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme