Autoritetet greke kanë zgjatur afatin që personat që vijnë nga Britania e Madhe duhet të qëndrojnë në karantinë, nga 3 ditë që ishte deri më tani, në 7 ditë. Kjo masë vjen për shkak të variantit të ri të Covid-19 që është shfaqur në Britani.
Për shkak të shfaqjes së variantit të ri të COVID-19 shumë shtete kanë ndërprerë fluturimet me Britaninë e Madhe. Mes tyre edhe Shqipëria njoftoi një masë të tillë të hënën.
Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas tha të hënën se i vetmi ndryshim që do të bëjë Greqia në raport me zhvillimet e fundit pandemike në Britani është zgjatja e karantinës së personave të cilët vijnë nga Britania e Madhe nga 3 në 7 ditë.
“Në vendin tonë, nga ora 6 e këtij mëngjesi, kushdo që vjen nga Mbretëria e Bashkuar duhet të vetë-izolohet për 7 ditë dhe jo për 3 ditë ashtu sikurse kërkohet për ata të cilët vijnë nga territore të tjera. Një komitet ekspertësh nga Ministria e Shëndetësisë do të vlerësojë më gjerë të dhënat shkencore dhe do të përgjigjet me rekomandime të mëtejshme”, tha Stelios Petsas, zëdhënës i qeverisë greke.