Gruevski dënohet me 1,5 vite burg për protesta të dhunshme

Nga Exit News
Gruevski dënohet me 1,5 vite burg për protesta të dhunshme

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski u dënua me një vit e gjysmë burg, ndërsa ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, me një vit burg me kusht. Ky i fundit, nuk do të shkoj në burg, nëse në katër vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ata u shpallën fajtorë për veprën “nxitje dhe organizim të protestave të dhunshme”, para ambienteve të Komunës “Qendër” në verën e vitit 2013. Të pandehurit, sipas prokurorisë, kishin organizuar turmën për të ndërhyrë në sallën e këshillit komunal me arsyetimin se janë kundër ndalimit të ndërtimit të një kishe në Shkup.

Këshilli komunal drejtohet nga opozita e cila kundërshtonte planet e qeverisë për ndryshimin e planit urbanistik.

Rasti u zbulua nga përgjimet e publikuara nga vitet 2013 deri në vitin 2014 nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev.

Në një nga bisedat e publikuara dëgjphet zëri i Gruevskit se si urdhëron Janakievskin të organizojë turmën për të “rrahur me shuplaka” disa nga drejtuesit e komunës që të zmbrapsen nga vendimi.

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski u dënua në mungesë, në nëntor të vitit 2018 ai u arratis në Hungari për t’iu shmangur vuajtjes së një dënimi tjetër prej dy vjet burg për shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro.

Për të njëjtën vepër u dënua edhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila të hënën në mbrëmje u dërgua në vuajtjen e dënimit.

LEXO  Maqedoni, 94 zyrtarë të lartë nën hetim, mes tyre dhe ish-kryeministri Gruevski

Lajme te ngjashme