Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, në një konferencë për shtyp deklaroi se aktiviteti ekonomik në vend po njeh rritje dhe vendi ka filluar rimëkëmbjen pas pandemisë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi të mërkurën Raportin e Tremujorit të Politikës Monetare.
“Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve, dhe u pasqyrua në përmirësimin e aktiviteteve prodhuese dhe atyre të shërbimeve,” u shpreh Sejko.
Raporti analizon situatën ekonomike gjatë pandemisë, ku u vërejt tkurrje e aktivitetit ekonomik 3.3% dhe humbje e rreth 43,000 vendeve të punës, përveç një ngadalësim në rritjen e pagave dhe investimeve.
Si pasojë, rimëkëmbja ekonomike mbetet e paplotë, me tregues në “nivelet ende të ulëta të kërkesës agregate, në rënien e punësimit dhe në rritjen e papunësisë.”
Sejko theksoi se sektori financiar paraqitet veçanërisht i qëndrueshëm, edhe pas lehtësimit të rregullave nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë, duke i mundësuar atyre të ndihmojnë me fleksibilitet bizneset dhe familjet.
“Në muajin mars 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 8%, duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar prej vitit 2009,” shtoi ai.
Sejko tha se projeksionet e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë mbeten pozitive.
“Vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim,” pohoi ai.
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ecuria e ekonomisë gjatë vitit 2020 pasqyroi fleksibilitetin e ekonomisë shqiptare dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar; mbështetjen te stimuli monetar, financiar dhe fiskal; si dhe përgjigjen ndaj procesit të vaksinimit.
Rimëkëmbja e plotë e ekonomisë duhet të mbështetet nga stimulimi i politikave ekonomike dhe kryerja e reformave strukturore, vlerëson Sejko.
Reformat, sipas tij, duhet të synojnë “rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.”