Rudina Hajdari do të jetë kandidate e Nismës Thurje në qarkun e Shkodrës. Kështu deklaroi Endri Shabani, një prej drejtuesve të Nismës, të hënën.
Në një deklaratë për Report Tv, Shabani u shpreh:
“Për shkak të formalizmit grupi nismëtar më ka zgjedhur mua si kryetar. Hajdari do të jetë kryesuese e fushatës në Shkodër dhe do të jetë kandidate atje.”
Shabani tha se ai vetë nuk do të kandidojë i parë në asnjë zonë zgjedhore.
Ai foli se si nisi bashkëpunimi i Nismës Thurje me deputeten Hajdari:
“Zonja Hajdari nuk ka qenë pjesë e Nismës Thurje, ka qenë bashkëkryetare e komisionit për reformën zgjedhore. Aty ka nisur edhe bashkëpunimi ynë. Ka pasur një periudhë diskutimi për ta vazhduar apo jo dhe u mor vendimi për të vazhduar me bashkëpunimin.”
Lidhur me vendimin për të kandiduar në zgjedhjet e prillit 2021, Shabani tha se ai është marrë pas sondazheve me qytetarët:
“Ne kemi një grup themeltar, që e kemi që prej krijimit të organizatës. Kemi bërë një diskutim me aktivistë. Kemi bërë edhe një sondazh për të parë se çfarë duhet të bënim për tu futur apo jo në zgjedhje. Propozimi i qytetarëve ka qenë që duhet të futemi.”
Nisma Thurje zyrtarizoi, të shtunën, angazhimin e saj për zgjedhjet e 25 prillit përmes një prezantimi virtual të ideve dhe të skuadrës së saj.
Zërat kryesore të Nismës, Panajot Sako, Endri Shabani e Rudina Hajdari i bënë thirrje qytetarëve të bashkohen me ta për të luftuar klasën e vjetër politike, që prej 30 vitesh ka vjedhur dhe varfëruar qytetarët.