Qeveria ka hapur të enjten zyrtarisht garën ndërkombëtare për koncesionin e rrugës Milot-Fier.
Koncesioni parashikon projktimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës për 35 vitet e ardhshme.
Vlera totale e projekti parashikohet të jetë 1,188 miliardë euro pa TVSH dhe do të bëhet nga kompania fituese.
Ndërsa shteti do të ofrojë garanci për deri në 7 për qind të vlerës së investimit, në rast se trafiku në rrugë nuk është sipas pritshmërisë së koncesionarit.
Kompanitë të huaja dhe shqiptare kanë afat deri në 28 shtator për të aplikuar.
Segmenti do të jetë 115 kilometra i gjatë, ku 53 kilometra do të jenë rrugë të reja që do të ndërtohen, ndërsa 62 kilometrat e tjerë do të jenë rehabilitim i rrugëve ekzistuese.
Rruga do të ndahet në 6 segmenti:
• Seksioni 1- Milot – Thumanë – 13.5 km i gjatë
• Seksioni 2-Thumanë – Kashar – 20 km i gjatë
• Seksioni 3-Kashar – Pezë Helmës – 9 km i gjatë
• Seksioni 4-Pezë Helmës – Luzi i Vogël – 24 km i gjatë
• Seksioni 5-Luzi i Vogël / Lekaj – I/C Rrogozhinë – 8 km i gjatë
• Seksioni 6-Rrogozhinë – fillimi i Bypass-it të Fierit – 38 km i gjatë
Rruga do të përfshijë tunele dhe urat e nevojshme për kalimin e makinave, nënkalime dhe mbikalime, hyrje-daljet e kontrolluara dhe stacionet e pagesave.
Qytetarët pritet të paguajnë deri në 8,7 euro për kalimin e gjithë segmentit, ose 0.075 euro për një kilometër.
Pagesa për këtë segment parashikohet të jetë më e lartë se ajo për Rrugën e Kombit. Aktualisht një automjet për 4 persona paguan 5 euro për kalim në Rrugën e Kombit.
Për të kaluar nga Morina në Fier, përmes Rrugës së Kombit dhe segmentit Milot-Fier, qytetarëve do t’1 kushtojë 13,7 euro për një kalim ose 27,4 euro vajtje-ardhje.
Me ndërtimin e këtij aksi, pritet që rruga Milot-Fier të bëhet për 75 minuta, ndërsa e gjithë rruga nga Morina në Vlorë të shkurtohet në 3 orë.
Segmenti Milot-Fier është pjesë e Korridorit Blu që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë me Greqinë, në unazën ku lëviz një pjesë e konsiderushme e trafikut përgjatë sezonit turistik.