Hapja dhe dialogu me Ancelotin

Nga Karl Kuçi
Hapja dhe dialogu me Ancelotin

Qendra për Hapje dhe Dialog—emri i madh që Rama i ka vënë me kryelartësi sallonit të tij personal të pritjeve në katin e parë të Kryeministrisë—do të vërë në skenë një tjetër pjesë plot shkëlqim në serinë e takimeve të famshme që, sipas Ramës dhe adhuruesve të tij, do ta kthejnë Tiranën në kryeqytet botëror të kulturës, artit dhe, pse jo, të politikës.

Vetëm se i ftuari i famshëm i rradhës nuk është ndonjë çmim nobel, as ndonjë politikan i famshëm në pension dhe as ndonjë artist thuajse i madh.

Këtë herë i ftuari është Karlo Anceloti—një njeri i mirë, me pak vite shkollë, por me shumë intuitë, me pasion të madh për gastronominë dhe talent të pakrahasueshëm për futbollin, i cili si lojtar dhe trajner ka fituar gjithçka, me të vërtetë gjithçka, shumë herë dhe me shumë skuadra të ndryshme.

Nuk dihet cili është shpërblimi i tij për këtë vizitë, që nuk bën pjesë në një program normal udhëtimi, ndaj është, me siguri, e paguar. Vendimi i fundit i qeverisë, i cili rishikoi buxhetin vjetor i dha Qendrës për Hapje dhe Dialog një rritje prej 50 për qind të fondeve për vitin 2016 ndaj paratë nuk janë aspak problem për qendrën.

Natyrisht, me këtë rast, Rama do të ftojë në sallonin e tij publik-privat një tufë të përzgjedhur miqsh dhe adhuruesish, për të kaluar me ta një mbrëmje të bukur. Ose më saktë për t’ju dhënë atyre mundësinë të jenë dëshmitarë të një takimi të rrallë e fatlum mes dy personalitesh të mëdha, të cilët do t’u japin njerëzve të zakonshëm pak nga mënçuria e tyre.

Më në fund, Kryeministri ka gjetur dikë në lartësinë e arsyetimeve të tij politike, që të mos bëj vetë figurë të keqe.

Hapja dhe dialogu shtyhen për herën tjetër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>