Kandidatja për kreun e PD-së, Edit Harxhi në një intervistë të dielën për Report TV, deklaroi se PD-ja nuk mundet të mos njohë zgjedhjet dhe njëkohësisht, të futet në parlament në shtator.
“Unë i bëj thirrje që nëse ne nuk i njohim zgjedhjet, z. Basha nuk duhet të futet në parlament. Duhet t’i prij një proteste paqësore, në stilin rumun, një proteste paqësore për rrëzimin e qeverisë,” u shpreh Harxhi.
Ajo më herët theksoi se PD-ja duhet të rikthehej tek aspiratat e ’90-ës, te antikomunizmi, klasa e pronarëve dhe sidomos të rinjtë.
“Pika kryesore e programit tim është bashkimi i të gjitha vlerave dhe kontributeve gjithë këto vite, por ky bashkim duhet të ndodh mbi idealet e vitit 1990, ku në plan të parë duhet të kemi antiomunizmin, pronarët e ligjshëm, shtresën e mesme…dhe duhet të hapemi urgjentisht ndaj rinisë,” deklaroi Harxhi.
Ajo shtoi se PD duhet të kërkonte falje publikisht për gjithë cfarë nuk ka bërë këto vite për viktimat e komunizmit dhe pronarët.
Harxhi vuri në dukje se PD-së i duhej një projekt për t’i dhënë fund tranzicionit 30-vjeçar në vend.
“Nëse ne do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë, pa një perspektivë të qartë se si do ta mundim qeverinë aktuale dhe se cili është projekti ynë i ardhshëm që do të drejtojë fundin e tranzicionit në Shqipëri dhe në PD, kam frikë se PD do të përfundojë si një NGO,” përfundoi Harxhi.