HEC-et në Dibër, kundër vullnetit të banorëve dhe me mbështetjen e qeverisë

Nga Sami Curri dhe Geri Emiri
HEC-et në Dibër, kundër vullnetit të banorëve dhe me mbështetjen e qeverisë

Një nga premtimet kryesore që solli në pushtet qeverinë e majtë në vitin 2013-të, ishte anulimi i koncensioneve dhe lejeve për ndërtimin e HEC-eve mbi lumenjtë e vendit. Por socialistët e kuptuan shpejt se kjo ishte e pamundur dhe çuditërisht ndoqën një politikë të djathtë, duke dhënë leje për ndërtimin e HEC-eve të reja.

Në vitin 2015-të, në Njësinë Administrative Arras dhe Lurë, të Qarkut Dibër, Këshilli Kombëtar i Territorit, me drejtues kryeministrin Edi Rama, miratoi ndërtimin e 4 HEC-eve në luginën e lumit Seta. Sipas banorëve dhe avokatëve të tyre, kjo është një zonë e mbrojtur, pasi këtu gjendet Burimi dhe Shpella e Sopanikës, shpallur Monument Natyre. Po ashtu sipas banorve HEC-et do të sjellin tharjen e lumit, pasi do e marrin ujin me anë të tubave.

“Këta kërkojnë t’i marrin ujërat tek burimi, që për mua është një krim”, tha Qazim Daci, banor i fshatit Çidhën e Poshtme.

Banorët kanë protestuar disa herë dhe në mungesë të reagimit nga ana e kompanisë private, kanë pajtuar dy avokatë, të cilët kanë paditur të gjitha institucionet shtetërore që kanë lëshuar lejet për ndërtimin e këtyre 4 HEC-eve.

Kjo bukuri në lumin Seta rrezikon të shkatërrohet me ndërtimin e hecit SETA 4. Foto: Geri Emiri
Kjo bukuri në lumin Seta rrezikon të shkatërrohet me ndërtimin e hecit SETA 4. Foto: Geri Emiri

“Kemi shkleje të ligjit për Zonat e Mbrojtura. Kemi shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Natyrore dhe Ligjit të Mjedisit…Po ashtu është shkelur ligji për Trashëgiminë Kulturore…Ndërsa në dhënien e lejes mjedisore, është vepruar në kundërshtim me ligjin”, deklaroi për Citizens Channel, avokati Përparim Noka.

Për ekspertin e mejdisit dhe njohësin e çështjeve që lidhen me ndërtimin e HEC-eve, Xhemal Mato, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për shumicën e HEC-eve është i mangët dhe nuk arrin të kryejë funksionin e tij, për ndalimin e projekteve që dëmtojnë mjedisin. Por po ashtu problem përbën edhe injorimi i mendimit të komunitetit.

“Ne kemi monitoruar disa nga dokumentet që gjasme kanë bërë informimin publik dhe disa nuk e kanë fare, ndërsa të tjera e kanë fallco, domethënë vendosin emra aty që nuk ekzistojnë”, tha më tej Mato për Citizens Channel.

Banorët e fshatit Çidhën dhe avokati i tyre pretendojnë se janë falsifikuar firmat e personave që kanë marrë pjesë në dëgjesën publike. Edhe banorët e fshatit Valikardhë, kanë protestuar për ndalimin e ndërtimit të HEC-it në “Liqenin e Zi”, por protesta e cila u kthye në të rrëmujshme për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve, solli ndjekjen penale nga prokuroria të disa të moshuarve të fshatit.

Një prej të banorëve që u proceduan penalisht u shpreh për Citizens Channel se ka shkuar rreth 15 herë në Gjykatën e Peshkopisë për këtë çështje dhe se është lodhur shumë nga ana mendore dhe financiare, ndërkohë që nuk janë paraqitur prova për fajësinë e tij.

HEC-i i Liqenit të Zi është mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe sipas studimit të publikuar në dhjetor të vitit 2017, nga rrjeti CEE Bankwatch, nga ndërtimi i këtij HEC-i janë duke u shkatërruar ekosistemet natyrore që lidhen me Liqenin e Zi dhe Majën e Gjatë, shpallur Monument Natyre.

Liqeni-i-Zi,-Bulqize

Edhe për banorët e fshatit Çidhën, ndërtimi i 4 HEC-eve po sjell shkatërrimin e biodiversitetit, pasi në ujërat e lumit Seta jetojnë një sërë gjallesash, ku më i rëndësishmi është peshku troftë, që i lëshon vëzët në këto ujëra të kristalta.

Avokati i kompanisë deklaroi në seancën gjyqësore, të zhvilluar paraditen e 23 janarit 2018-të deklaroi para trupit gjykues se banorët nuk disponojnë as edhe një dokument shkresor ku të provohet se punimet kanë dëmtuar mjedisin. Ndërsa administratori i kompanisë “HYDROSETA POWER”, Pëllumb Beta, tha gjatë seancës gjyqësore se “në këtë lum nuk jeton asnjë lloj gjallesë”.

Përfaqësuesja ligjore e Këshillit Kombëtar të Territorit, si palë e paditur nga banorët e fshatit Çidhën, tha në seancën gjyqësore se ndërtimi i këtyre HEC-eve përbën interes publik, pasi lidhet me prodhimin e energjisë elektrike.

Por për avokatin Përparim Noka, nga ndërtimi i këtyre HEC-eve banorët e zonës nuk përfitojnë asgjë. “Janë interesa personale. Subjekti privat do ta përfundojë veprën dhe do të ja shesi energjinë shtetit. Por me çfarë do ta blej qeveria këtë energji të prodhuar? Me lekët e taksava tona dhe do t’ia shesë sërish konsumatorit me një çmim më të lartë”, u shpreh Noka për Citizens Channel.

“Beteja ligjore” e banorëve kundër kompanisë dhe institucioneve shtetërore po vazhdon, ndërkohë punimet avancojnë. Pavarsisht se çështja është në shqyrtim, gjykata nuk ka pranuar kërkesën për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-it SETA 4.

Administratori i kompanisë tha në seancën gjyqësore se për ndërtimin e HEC-eve SETA 1, 2 dhe 3, ka përfunduar pothuajse 70% e punimeve. Ndërsa në HEC-in SETA 4 kanë përfunduar pothuajse 50% të punimeve.

Shqetësimi i banorëve është mungesa e ujit pas ndërtimit të HEC-eve. Banorët e fshatit Valikardhë, ku është ndërtuar HEC-i i Liqenit të Zi, thanë se përballen me mungesën e ujit vaditës gjatë periudhës së verës.

“Një nga problemet është kontrolli i ujit biologjik që kompanitë e HEC-eve lënë në lumë. Sipas ligjit ata duhet të lënë një sasi uji edhe në verë edhe në dimër, në mënyrë që uji të mos thahet fare dhe fauna dhe flora të mbijetojnë. Sasia e ujit duhet të jetë sa është mesatarja e prurjeve në 365 ditë të vitit. Nga monitorimi jonë si shoqata, kemi konstatuar se ata nuk lënë fare ujë sepse mungon kontrolli i tyre”, u shpreh Xhemal Mato.

Sipas një raporti të bërë publik vitin e kaluar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, evidentohet se në Lumin e Matit ka një ulje të konsiderueshme të shtratit për shkak të erozionit fundor dhe shfrytëzimit të tejskajshëm të inerteve në të gjithë gjatësinë e lumit.

Po sipas këtij raporti, në disa lumenj të vendit, në këtë situatë ka ndikuar edhe hedhja e inerteve në shtratin e lumit, nga hapja e galerive për ndërtimin e HEC-eve.

Makineritë që po punojnë për ndërtimin e hecit SETA 4 në Dibër. Foto: Geri Emiri
Makineritë që po punojnë për ndërtimin e hecit SETA 4 në Dibër. Foto: Geri Emiri

Jo vetëm mbi lumin Seta, por edhe në lumin Mat, pranë një monumenti kulture, si “Ura e Vashës”, prej vitesh kanë nisur punimet për ndërtimin e një HEC-i dhe së fundmi po kryhet procedura e marrjes së lejes për ndërtimin e një tjetër HEC-i.

“Këta po vazhdojnë punimet…për ta ndotur vendin, për t’a shteruar ujin e Urës së Vashës, ku kanë kaluar të parët tanë dhe do të kalojmë edhe ne”, u shpreh për Citizens Channel, Medi Sina, banor i fshatit Guri i Bardhë.

_________________________________________________________

Ky artikull u publikua më parë tek Citizens Channel.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>