Hetimi i prokurorisë gjermane rrezikon reputacionin e kandidatit për kancelar

Nga Exit News
Hetimi i prokurorisë gjermane rrezikon reputacionin e kandidatit për kancelar

Një hetim i prokurorisë gjermane në ministrinë e financave rrezikon reputacionin e kandidatit për kancelar, Olaf Scholz pak ditë para zgjedhjeve.

Ligjvënësit gjermanë do të marrin në pyetje ministrin e financave Olaf Scholz për dështimet e dyshuara në agjencinë qeveritare kundër pastrimit të parave të hënën e ardhshme, vetëm disa ditë para zgjedhjeve federale të cilat partia e tij është favorite t’i fitojë.

Scholz do t’i përgjigjet pyetjeve në një takim special të komitetit të financave të parlamentit më 20 shtator.

Sondazhet sugjerojnë se Scholz ka një shans të mirë për t’u bërë kancelar pas zgjedhjeve të 26 shtatorit, duke zëvendësuar Angela Merkel.

Prokurorët bastisën ministrinë e financave në Berlin të enjten e kaluar, si pjesë e një hetimi pse zyrtarët në agjencinë kundër pastrimit të parave me qendër në Këln nuk ndoqën udhëzime të caktuara, duke vënë në qendër të vëmendjes dështimet në trajtimin e krimit financiar në Gjermani.

Ministria e financave ka thënë se hetimi është fokusuar në të dyshuarit e agjencisë në Këln dhe jo në anëtarët e vetë ministrisë, duke shtuar se qëllimi i bastisjes ishte të mblidhte informacion në lidhje me vendimet e caktuara të zyrtarëve të kësaj agjencie.

Ministria e financave mbikëqyr agjencinë kundër pastrimit të parave  edhe pse ajo është e pavarur nga ndikimi politik në vendimet e saj.

Koha e bastisjes – më pak se tre javë para zgjedhjeve – ka nxitur spekulimet për një motiv politik.

Vetë Scholz është përpjekur të kundërpërgjigjet, duke thënë se prokurorët gjithashtu mund të kishin kërkuar informacionin në formë të shkruar.

Armin Laschet kundërshtari kryesor i Scholz, i kërkoi atij të kërkojë falje për kritikimin e vendimit të prokurorit. Laschet akuzoi gjithashtu rivalin e tij politik se minoi sundimin e ligjit dhe ndihmoi populistët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>