Histori e shkurtër e fajeve të shqiptarëve dhe pafajësisë së Edi Ramës

Nga Ilmi Rehova
Histori e shkurtër e fajeve të shqiptarëve dhe pafajësisë së Edi Ramës

Edi Rama erdhi në pushtet duke i mbushur mendjen mbi një milion shqiptarëve se “Fajin e ka Saliu”, ndaj njerëzit e larguan Saliun dhe sollën atë në pushtet, me shpresën se tashmë do të shpëtonin nga Saliu dhe kujtimi i tij.

Por nuk qe e thënë. Vitin e parë dhe të dytë në pushtet Edi Rama e kaloi duke i shpjeguar me fakte popullit se pse më parë “fajin e kishte pasur Saliu”, duke filluar nga gjendja e keqe e bodrumeve të kryeministrisë që Rama i bëri të rinj fare, tek dembelizmi që Saliu i kishte mësuar popullit, tek gropa financiare që kishe lënë Saliu.

Gjatë këtyre dy viteve “Fajin e ka Saliu” e plotësoi me “fajin e kanë shqiptarët”, që nuk kuptojnë, që kanë deformime patologjike të dembelizmit, që mbajnë mes tyre meshkuj parazitë, etj.

Vitin e tretë dhe të katërt të qeverisjes, Edi Rama e shtyu me “fajin e kanë gjyqtarët dhe prokurorët”, duke i mbushur mendjen botës nga poli në pol dhe shqiptarëve nga Vermoshi në Konispol se shkaku i varfërisë, i rrugëve të shkatëruara, i spitaleve të rrënuara, e deri edhe i sherreve në familje dhe dramave në dashuri ishin gjykatësit dhe prokurorët. Më ndihmën e ca ambasadorëve mediokër por egoistë, ai i çoi të gjitha energjitë e vendit në hartimin e një palo reforme në drejtësi aq mediokre sa ka dështuar pa filluar.

Me ardhjen e fushatës elektorale, Edi Rama e njoftoi popullin e tij për fajtorët e rinj—“fajin e ka tepsia” dhe “fajin e kanë ata që nuk ja linin timonin”. Populli u bind dhe ja dorëzoi edhe tepsinë edhe timonin me shpresën se me këtë gjë do mbaronin edhe fajtorët.

Por nuk qe e thënë. Nuk kaluan pak javë nga fitorja në zgjedhje, Edi Rama njoftoi popullin se “fajin e kanë drejtuesit e hipotekave” që ai vetë kishte vënë në detyrë. Një javë më vonë njoftoi popullin se kishte zbuluar një tjetër grup fajtorësh dhe se “fajin e kishin drejtuesit e spitaleve” edhe pse ai ja u ka hequr atyre copë copë të gjithë shërbimet shëndetësore duke ja dhënë klientëve të tij.

Dje, Edi Rama zbuloi një tjetër grup të organizuar fajtorësh, ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë, që nuk i kishin sjellë vendit asnjë investitor të huaj ndërkohë që edhe investitorët që janë në Shqipëri po ikin nga sytë këmbët nga trysnia e qeverisë dhe e klientëve të qeverisë.

Është vetëm fillimi i mandatit të dytë, dhe është e arsyeshme të mendohet se në fund të katër viteve të ardhshme në Shqipëri do të jenë të gjithë fajtor dhe vetëm një i pafajshëm: Edi Rama.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>