Dhjetra figura të njohura të politikës e medias morën pjesë të dielën në homazhet për për presidentin e “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, i infektuar me Covid-19.
Exit News sjell më poshtë disa nga mesazhet e ngushëllimit:
Rektori i Universitetit “Luarasi”, profesor Ethem Ruka:
“Ne do ta mbajmë mend Kasemin ashtu të qeshur, të guximshëm që luftoi për zërin e lirë, për një media të lirë.”
Drejtori i Informacionit në televizionin News24, Robert Rakipllari:
“Humbje e pabesueshme. Janë shumë kujtime, sepse ka kaluar një kohë e gjatë bashkëpunimi me zotin Hysenbelliu. Në këto momente mund të them se Kasemi ishte një menaxher i shkëlqyer dhe koleg i mirë. Ai i bënte bashkë të dyja këto.”
Ambasadori Dashnor Dervishi:
“Ishte e papritur e madhe për të gjithë ne. Ishte një goditje shumë e madhe për familjen e tij, për ne shokët, një mik i dashur. Ishte goditje për shtypin e lirë. Ishte e papritur e madhe, se përballojmë dot.”
Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji:
“Është një ngjarje tronditëse jo vetëm për familjarët dhe familjen, por dhe për të gjithë opinionin publik.”