Një minator, 49 vjeç ka humbur jetën gjatë kohës që po punonte në minierën e Bulqizës.
Sipas Shqiptarja.com, minatori Fiqiri Karajka është aksidentuar gjatë punës. Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së tij.
Gjatë dy viteve të fundit, të paktën shtatë minatorë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në këtë minierë:
–Më 8 shkurt 2019, një minator 53 vjeçar humbi jetën në minierën e kromit në Bulqizë, pas goditjes nga një masiv guri.
– Më 25 maj 2018, dy minatorë u plagosën në minierën e kromit në Bulqizë, teksa punonin në nivelin e 17-të të minierës
– Më 11 maj 2018, një minatori 62 vjeçar humbi jetën, pasi një masiv shkëmbor i ra sipër teksa po punonte në galerinë D të minierës.
– Në mars 2018, një minator 66 vjeçar humbi jetën, si pasojë e shëmbjes së një masivi shkëmbor.
– Në nëntor 2017, viktima ishte një minator 20 vjeçar, ndërsa në tetor një 33 vjeçar.
– Në shkurt 2017, tre minatorë kinezë mbetën të bllokuar për disa ditë dhe më pas u nxorën të vdekur nga miniera e kromit në Bulqizë. Ata humbën jetën si pasojë e një shpërthimi gazi. Tre minatorë të tjerë u plagosën gjatë këtij aksidenti.
Megjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.