I ati i portierit të Partizanit përgënjeshtron mediat: Aldo ra aksidentalisht nga kati i 7-të

Nga Erblin Vukaj
I ati i portierit të Partizanit përgënjeshtron mediat: Aldo ra aksidentalisht nga kati i 7-të

“Më e keqja ka kaluar” për portierin e Partizanit, Aldo Teqja, i cili nga Spitali Universitar i Traumës (SUT) ka folur në një intervistë të shkurtër për Top-Channel duke qetësuar tifozët. Ndërkohë familja Teqja ka përgënjeshtruar raportimet e mediave dhe policisë duke këmbëngulur se ngjarja ishte aksident.

“Ndihem mirë, më e keqja kaloi, do të rikthehem shpejt në fushën e lojës”, – është shprehur 24-vjeçari Teqja për Top-Channel nga spitali.

Tre ditë më parë shtatlarti u dërgua me urgjencë në reaminacionin e SUT pasi ra nga kati i 7 i pallatit ku banonte në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Mediat raportuan se Teqja ishte “vetëhedhur si pasojë e kushteve të rënduara psikologjike”. Për këtë raportim ato niseshin nga një “njoftim paraprak” i Policisë, ndërsa portale të ndryshme përfolën si arsye kryesore “të vetëhedhjes” grindje me të fejuarën.

Por familjarët e Aldos përgënjeshtruan gjithçka. Duke folur për Top-Channel, Ramazan Teqja, i ati i portierit shtatlart të Partizanit, tha:

“Dua të përgënjeshtroj të gjitha mediat dhe portalet, djali im ka pësuar aksident… Dua të theksoj se e fejuara e djalit së bashku me prindërit e saj kanë qenë këtu me ne që nga dita e parë dhe deri më tani. Aldo do të kthehet shumë shpejt si kampion!”

Ngjarja në fjalë qe raportuar edhe nga Top-Channel me titullin: “U hodh dje nga kati i 6, ja gjendja shëndetësore e portierit të Partizanit”.

Në media të tjera, si BalkanWeb apo Panorama, lajmi u shoqërua me njoftimin e Policisë, që thoshte:

“Rreth orës 19:40 në rrugën “Medar Shtylla”, dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike, është vetëhedhur nga kati i 6-të i banesës shtetasi A. T.,24 vjeç, i cili u dërgua në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”

Dyshimi i policisë në informacionin paraprak nuk u vu në diskutim dhe nuk verifikua më tej nga mediat, të cilat vazhduan ta raportonin si faktike “vetëhedhjen”. Në emisionin Procesi Sportiv, gazetari Endi Tufa raportoi se “Aldo kishte rënë nga ballkoni pasi qe përpjekur për të rregulluar tendën”.

Aldo Teqja u transferua vetëm këtë vit te Partizani. I lartë 1,96 metra, ai cilësohet portier premtues për të ardhmen.

Më parë ka qenë pjesë e skuadrave të Skënderbeut, Kukësit, Anorthosisit apo dhe Dinamos.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>