Ekskluzive: Ibsen Elezi padit PD-në për skualifikimin nga gara

Ekskluzive: Ibsen Elezi padit PD-në për skualifikimin nga gara

Ibsen Elezi, ish-kreu i PD-së për degën e Kuksit, ka ngritur padi ndaj Partisë Demokratike për përjashtimin nga gara për kreun e saj të ri, të premten.

Elezi pretendon se PD-ja nuk i ka komunikuar formalisht arsyet e refuzimit të kandidimit të tij, bazuar në pikën 4 të nenit 10 të Statutit të saj, por e ka mësuar nga mediat vendimin.

Në padinë e siguruar nga Exit, Elezi deklaron se i është drejtuar Komisionit të Apelimit të Partisë Demokratike për të ankimuar vendimin.

Kreu i Komisionit e ka vënë në dijeni se aktualisht KAPD kishte vetëm një anëtar dhe nuk mund të shqyrtonte ankesa në mungesë të konstituimit.

Në këto kushte, Elezi ka vendosur t’i drejtohet gjykatës.

Të premten, gjykata e Rrethit Tiranë nuk pranoi të ndalet gara për kreun e PD-së deri në marrjen e një vendimi për çështjen.

Pala paditëse argumentoi se, prej vitit 2005, PD-ja nuk ka depozituar në gjykatë ndryshimet në statut dhe për pasojë, mungon baza juridike për zhvillimin e garës.

“Kështu të gjithë Statutet që Partia Demokratike ka miratuar/ndryshuar pas Statutit të vitit 2005, janë të paregjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. E njëjta gjë edhe për vendimet e emërimit të organet drejtuese dhe organizimin e partisë,” shkruhet në padi.

Zyrtarisht, objekti i padisë kërkon shfuqizimin e vendimeve të Kryesisë dhe detyrimin e PD-së të zhvillojë zgjedhje sipas statutit të fundit të regjistruar. Në këtë mënyrë Elezi shpreson të rikthehet në garë.

Tashmë, padia do të gjykohet me themel, ndërkohë që PD zhvillon të dielën, më 13 qershor, zgjedhjet për kreun e saj të ri.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>