
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur, të martën, shembjen e 20 ndërtesave në lotin e tretë të Unazës së Madhe.
Ndërtesat janë nga dy deri në katër kate dhe kanë funksion banimi ose shërbimesh. Disa prej tyre janë shpronësuar sipas ligjit, ndërsa pronarët e ndërtesave të papajisura me letra, nuk janë dëmshpërblyer.
Loti i tretë i Unazës së Madhe synon të bëjë me dy korsi lidhjen e Rrugës së Kavajës me Unazën e Re.
Kostoja e tenderit për lotin e tretë është rreth 1,2 miliardë lekë, rreth 10 milionë euro.
Më herët IKMT ka prishur ndërtesat në lotin e parë dhe të dytë, ku tashmë kanë nisur punimet.
Deri tani, në të gjitha lotet e Unazës, janë prishur rreth 170 objekte të madhësive të ndryshme.