Inspektoriati Kombëtar i Mbrotjes së Territorrit (IKMT) ka shembur deri më tani 24 ndërtesa pranë Sheshit Shqiponja, për t’i hapur rrugë projektit korruptiv të Unazës së Madhe.
Sipas njoftimit të IKM-të, sot do të shemben 33 banesa.
Projekti për zgjerimin e Unazës së Re nisi në shtator 2018. Ky projekt është i ndarë në 3 lote:
– Loti i parë shtrihet nga Rrethrrotullimi Shqiponja deri tek pranë zonës së njohur si Astiri. Kompania Salillari shpk dhe Bajrami shpk fituan tenderi me vlerë 14,5 milionë euro pa TVSH për të ndërtuar këtë segment.
– Tenderi për lotin e dytë, me vlerë 12,8 milionë euro pa TVSH, u fitua sërish nga kompania Salillari shpk.
– Ndërsa loti i tretë do të ndërtohet nga kompania Victoria Invest, e cila fitoi tenderin me vlerë 9,6 milionë euro pa TVSH.
Në total nga projekti i Unazës së Re do të preken 424 pasuri, banesa ose ndërtesa me funksione shërbimi.
Më 27 nëntor 2018, ALUIZNI njoftoi se 138 prej këtyre pasurive janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ndaj përjashtohen nga procesi i legalizimit. Familjet pronare të këtyre ndërtesave nuk do të përfitojnë shpronësime. Ndërsa 286 ndërtesa të tjera janë të ligjshme dhe duhet të dëmshpërblehen, bazuar në ligjin për shpronësimet.
Më 27 dhjetor 2018, Ministria e Infrastrukturës kërkoi 9,6 milionë euro (1,1 miliardë lekë) dëmshpërblime vetëm 128 prona.
Rreth 4 muaj më vonë, në prill 2019, qeveria vendosi një buxhet prej 9,7 milionë eurosh (1,2 miliardë lekë) për dëmshpërblime. VKM-ja shoqërohej me një listë prej 146 pronash.
Më 24 prill me firmë të Zëvendëskryeministrit Braçe ndryshoi burimi i llogarisë nga “Fondi i shpronësimeve” (Banka e Shqipërisë) te “buxheti i shtetit” (i vitit 2019).
Në 6 nëntor ARRSH bëri thirrje publike që pronarët e përmendur në VKM e 17 prillit duhet të paraqesin dokumentat e tyre për shpronësimin e pronës.
Më 12 nëntor, IKMT nisi shembjen e ndërtesave.
Deri më tani, as qeveria dhe as ALUIZNI nuk ka dhënë asnjë sqarim se çfarë do të ndodhë me 138-të familjet, pronat e së cilëve janë përjashtuar nga legalizimi si dhe me 140 familje të tjera, prona e së cilëve është e ligjshme por nuk është përfshirë në VKM-në e 17 prillit.