IKMT shemb ndërtesat në Jalë, përplaset me banorët

IKMT shemb ndërtesat në Jalë, përplaset me banorët

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur sot prishjen e nëntë ndërtesave në zonën e Jalës, në jug të vendit.

Pronarët e ndërtesava, me funksion kryesisht shërbimi, u shprehën se nuk janë lajmëruar për këtë aksion. Në disa prej ndërtesave, që shërbenin si dhoma pushimi, ishin të mbushura me turistë në momentin që fadromat e IKMT-së kanë tentuar t’i shembin.

“Jemi me dokumente të rregullta dhe duan të na nxjerrin me dhunë nga prona jonë. Kemi bërë mbivendosje mbi pronën tonë dhe çështjen e kemi apeluar. Tani presim vendimin e gjykatës. Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për aksionin, porn a kanë njoftuar vetëm me gojë”, u shpreh një prej pronarëve.

Pronarët e ndërtesave kanë tentuar të ndalin fadromat, por policia ka ndërhyrë për të ndalur qytetarët.

Nga ana tjetër, IKMT shprehet se banorët janë lajmëruar.

Drejt Jalës, në ndihmë të banorëve janë nisur deputetët e Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës Agron Shehaj dhe Nada Meçorapaj.

Në gjirin e Jalës, kompania Edil-Al, një prej kompanive më të afërta të kryeministrit Rama, ka planifikuar të ndërtojë një kompleks rezidencial me vila, në një sipërfaqe toke prej 45 mijë metrash katror, ku 4100 metër katrorë janë për vila, ndërsa 2200 metër katrorë për hotelin.

Duket se ky aksion për shembjen e ndërtesave shërbën për të liruar hapësirat pranë bregdetit që më pas do të shfrytëzohen nga kompania Edil-Al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>