Pothuajse të gjithë studentët shqiptarë që studiojnë jashtë Shqipërisë nuk duan të kthehen mbrapsht për të punuar dhe jetuar ne vendin e tyre. Madje edhe më shqetësues është fakti se më të kualifikuarit brenda vendit janë grupi kryesor që largohet nga Shqipëria.
Emigracioni vijon të jetë një nga plagët kryesore të shoqërisë shqiptare. Sipas të dhënave nga Gallup World Poll për periudhën 2010 – 2015, Shqipëria renditet e gjashta në botë për nga përqindja e të rriturve që ‘planifikojnë të migrojnë’. Në fakt, është i vetmi vend evropian në 20 vendet e para të botës, të cilat janë më së shumti vende afrikane.
Dr. Ilir Gëdeshi i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale tha në emisionin “Me pak fjalë” në Euronews se pas krizës ekonomike të vitit 2013, fenomeni i emigracionit në Shqipëri ka prekur më shumë pjesën më të kualifikuar të vendit dhe jo të papunët.
“Dëshirojnë të largohen nga shqipëri personat që janë më të kualifikuar, personat e arsimuar, të punësuar dhe ato që kanë paga mbi mesataren”, tha ai.
Tendenca për të emigruar në Shqipëri është rritur në krahasim me 10 vite më parë. Aktualisht, 52% e popullsisë shqiptare 18-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa vetëm një dekadë më parë kjo shifër ishte 44%.
Sipas zotit Gëdeshi, dëshira për emigracion është e theksuar në masë tek studentët shqiptarë që studiojnë jashtë vendit. Në studimet e fundit të kryera rezulton se 94% e tyre nuk dëshirojnë të rikthehen.
“Nëqoftëse do të shikojmë personat që shkojnë jashtë për tu arsimuar, pa dyshim që mund të themi se Shqipëria është ndër vendet e para në botë për numrin e studentëve krahasuar me popullsinë. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka numrin absolut të studetëve që studiojë jashtë. Aktualisht sipas UNESCO janë 18 mijë por janë shifrat e vitit 2018. Nga anketimet që ne kemi bërë rezulton se 94% nuk dëshirojnë të kthehen në vend pas përfundimit të studimeve. Kjo është humbja që ndodh për vendin.”
Arsyet që shtyjnë shqiptarët të emigrojnë janë kryesisht ekonomike por zoti Gëdeshi shtoi gjithashtu se është rritur ndikimi i faktorëve të tjerë që lidhen me perspektivën e të jetuarit në Shqipëri:
“Në anketat e fundit që ne kemi bërë, rezulton se krahas faktorëve ekonomik ka të bëjë edhe me të ardhmen, njerëzit nuk ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre dhe kjo lidhjet pastaj me shumë shërbime që kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë, sigurinë, jetën sociale.”
Pavarësisht tablosë pesimiste që nxit realiteti i emigracionit në Shqipëri, studiuesi u shpreh optimist për të ardhmen. Problemi sipas tij qëndron te “ndryshimi i politikës në Shqipëri”:
“Për të ndryshuar duhet të transformojmë jetën ekonomike politike dhe sociale. Hapja e vendeve të reja të punës, perspektiva në to dhe përmirësimi i shërbimeve që marrin qytetarët.”