
Ilir Kulla, këshilltari i presidentit Meta, ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar sot në disa media se ai ka porositur një fushatë kundër Shqipërisë përmes lajmeve për transportin e 1400 konteinerë me mbetje toksike nga Italia në Shqipëri.
Përmes një postimi në Facebook, Kulla deklaroi se ai nuk ka lidhje më këtë lajm:
“Më duhet të them se kjo është vetëm një shpifje dhe asgjë më tepër. Çdo kritikë, oponencë dhe opozitë që kam bërë me këtë qeveri dhe qeveritë e meparshme i kam patur publike dhe do t’i kem publike.”
Për këtë lajm reagoi më herët dhe kryeministri Rama në Twitter. Duke postuar lajmin sipas së cilit Kulla ka porositur fushatën kundër Shqipërisë, Rama shkroi:
“Këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë.”
Në vitin 2017, një portal italian, Pianeta Italia, publikoi një lajm sipas së cilit rreth 1300 kontenierë me 22 tonë mbetje kimike të ardhura nga Italia janë groposur në Shqipëri.
Sot në 5 qershor 2020, disa media publikuan lajmin se prokuroria italiane ka zbuluar se pas prodhimit të këtij lajmi të rremë qëndron këshilltari i presidentit të sotëm Ilir Meta me inicialet I. K.