Gazetarja dhe drejtuesja e emisionit “Ilva Now” në Euronews Albania, Ilva Tare, ka deklaruar se do të largohet nga televizioni dhe media pas 25 vitesh karrierë.
Në një editorial për këtë vendim ajo shkruan se ka ardhur koha “ta mbyll këtë kapitull” dhe të nis një të ri “për t’i dhënë më shumë kohë familjes.”
Tare ka falenderuar bashkëpunëtorët dhe kolegët e saj por mbi të gjitha publikun për të cilin shkruan se në këto 25 vite ka qenë aleati i saj “në përballjet e vështira me realitetin dhe mentalitetin”.
“Publiku ka qenë edhe kritiku dhe vlerësuesi im më i mirë.”, thotë Tare.
Gazetarja shprehet optimiste për të ardhmen e Shqipërisë duke thënë se ky largim është me shpresë dhe se më e mira është përpara nesh.
“Do të mund të më shihni sërish me emisione dhe segmente speciale herë pas here. Ilva Now dhe ky kapitull suksesi me Euronews Albania mbyllet, por kjo s’është hera e fundit që shihemi bashkë”, mbyll editorialin e saj Ilva Tare.