Në mesnatë, në katedralen e ‘Shën Palit’ në Tiranë, qindra besimtarë morën pjesë në meshë për të kremtuar Krishtlindjen.
Gjatë meshës, Imzot George Frendo theksoi se sot më shumë se kurrë shqiptarët duhet të jenë solidarë me njëri-tjetrin:
“Festa e Krishtlindjes është festa e plotë e solidaritetit. Solidar me ata që për shkak të tërmetit të 26 nëntorit kanë humbur gjithçka dhe kanë mbetur pa shtëpi.
Jezusi që sot na mëson se çfarë do të thotë solidaritet, gëzohet duke parë solidaritetin që populli shqiptar ka treguar ndaj personave të prekur nga tërmeti.
Vëllezërit dhe motrat shqiptarë kanë treguar solidaritet dhe shumë u janë afruar personave që kanë mbetur pa shtëpi.”
Ai uroi më shumë paqe, mirësi e dashuri mes njëri-tjetrit.
Në përfundim të meshës, besimtarët uruan njëri-tjetrin për Krishtlindje të mbara e të begata.