Tirana renditet një prej nëntë qyteteve me shërbimin më të keq shëndetësor në botë, në Indeksin e Kujdesit Shëndetësor 2019. Hartuar nga Numbeo, ky indeks rendit 236 qytete nga e gjithë bota sipas perceptimit të qytetarëve për kujdesin shëndetësor që marrin. Ndër elementët kryesorë për të cilët qytetarët japin mendimin e tyre janë profesionalizmi i stafit mjekësor, pajisjet moderne dhe marrja e trajtimeve të duhura, shpejtësia në marrjen e trajtimit, kostot, vendndodhja dhe shërbimi në qendrat shëndetësore etj.
Mes 236 qyteteve, Tiranë renditet në vend të 227, duke lënë pas qytete si Kajro në Egjipt, Daka në Bangladesh apo Baku në Azerbajxhan. Në renditjen e vendeve europiane, Tirana renditet mes tre të fundit, duke lënë pas vetëm Galwayn në Irlandë dhe Kharkivin në Ukrainë.
Në total nga 100 pikë, Tirana është vlerësuar me 46,54 pikë.
Të dhënat e përditësuara publikohen nga Numbeo çdo gjashtë muaj. Krahasuara me gjashtë muaj më parë, Tirana ka humbur 5 pikë dhe të paktën 10 pozicione në renditje, duke lënë të kuptohet se qytetarët perceptojnë se kujdesi shëndetësor në vend është përkeqësuar muajt e fundit.