Shqipëria renditet mes 20 vendeve me korrupsion më të përhapur në gjithë botën.
Në Shqipëri sundimi i ligjit vazhdon të jetë i dobët dhe korrupsioni i kudondodhur. Këto janë përfundimet e Indeksit të Sundimit të Ligjit 2017, hartuar nga World Justice Project, një institut kërkimor ndërkombëtar në SHBA.
Indeksi vëzhgon 113 vende në gjithë botën, në këto faktorë: kufizimet e pushtetit të qeverisë, mungesa e korrupsionit, qeverisja e hapur, zbatimi i të drejtave themelore, rendi dhe siguria, drejtësia civile dhe ajo penale.
Të dhënat për Shqipërinë janë grumbulluar nga 1000 intervista në Tiranë, Durrës dhe Fier.
Në një sistem vlerësimi nga 0 në 1 (ku 0 tregon mossundimin total të ligjit dhe 1 sundimin total të tij) Shqipëria vlerësohet me 0,51 pikë, duke u bërë pjesë e shteteve me zbatim të dobët të ligjeve.
Në rang global, nga 113 vende të vëzhguara Shqipëria renditet në vend të 68-të, mes vendeve me sundim të dobët të ligjit.
Lidhur me korrupsionin, pothuaj të gjithë të intervistuarit pranon se në Shqipëri korrupsioni është i kudogjendur. Vlerësuar me 0,35 pikë, korrupsioni është treguesi i vlerësuar më dobët.
Krahasuar më një vit më parë, Shqipëria nuk ka bërë asnjë përmirësim në vlerësim, por në renditje është rritur me katër pozicione për shkak të përkeqësimit të vendev të tjera.
Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda janë tre shtetet me performancën më të mirë të sundimit të ligjit, jo vetëm në Evropë, por në gjithë botën.
Ndërkohë Venezuela, Kamboxhia dhe Afganistani janë tre vendet në fund të renditjes.