Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS) i ka kërkuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të nisë një hetim administrativ ndaj qeverisë dhe Bashkisë Durrës për keqpërdorim të parave publike në favor të Partisë Socialiste gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Kallëzimi admistrativ i AIS përqëndrohet në disa veprime të qeverisë dhe bashkisë Durrës të cilat sipas tyre kanë pasur synim të përqendrojnë shpërndarjen e fondeve të rindërtimit në data zgjedhore për qëllim favorizimin e PS në zgjedhje.
Në datën 25 Mars 2021, një muaj para zgjedhjeve, qeveria ka krijuar një fond në vlerën 926 449 664 lekë për Bashkinë Durrës, pa Akt Normativ dhe pa ligj, por përmes një VKM-je.
Gjatë muajit të fushatës zgjedhore, (25 mars – 25 prill) qeveria transferoi tek Bashkitë e dëmtuara nga tërmeti rreth 30% (69 mln euro) të fondit të Rindërtimit për vitin 2021.
Nga janari në prill 2021 është transferuar 56% e fondit të Rindërtimit të 2021. Në vitin 2020, qeveria gjithsej në 12 muaj, shpenzoi për Rindërtimin vetëm 52% të fondit të programuar.
Sa i përket Bashkisë Durrës, AIS argumenton se i ka përdorur fondet e transferuara nga qeveria si pagesa direkte tek individët gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Më tej në kallëzim thuhet se përfituesit janë përzgjedhur jo sipas nevojës por prioritet iu është dhënë atyre më të shumtë në numër, pra ata me dëme më të lehta (DS1, DS2, DS3).
Një javë para zgjedhjeve Bashkia ka miratuar ndryshime dhe shtesa vlere përfitimi për të prekurit nga tërmeti. Atyre që fillimisht iu ishte përcaktuar niveli i dëmit DS1 iu është rivlerësuar në DS2 dhe DS2 në DS3. Pra për disa individ ndihma e rindërtimit është shtuar nga 100 mijë lekë në 500 mijë lekë rreth një javë para zgjedhjeve. Gjatë kësaj periudhe gjithashtu janë ekzekutuar edhe pagesat.
Nga 26 Nëntori deri në prill 2021, Bashkia kishte paguar individët dhe bizneset për rindërtimin 4.1 miliardë lekë, ose rreth 246 milionë lekë në muaj. Në datat 12 deri 24 Prill 2021, Bashkia Durrës ka paguar për rindërtimin rreth 745 milionë lekë. Ndërkohë gjatë muajit pas zgjedhjeve ka dhënë vetëm 3 milionë lekë.
AIS ka ngritur gjithashtu pretendime se Ministria e Rindërtimit ka trajtuar njësoj për 16 muaj si ata që kanë ngelur pa banesë pas tërmetit edhe ata që kanë pësuar dëme në banesën e dytë ose në ndërtesa që përdoreshin për përfitime shtesë.