Intervistë me Agron Tufën – Pse studiuesi i krimeve të komunizmit kërkoi azil politik në Zvicër

Nga Alice Elizabeth Taylor
Intervistë me Agron Tufën – Pse studiuesi i krimeve të komunizmit kërkoi azil politik në Zvicër

Agron Tufa, ish-Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK), së fundmi kërkoi azil në Zvicër për veten, gruan dhe pesë fëmijët e tij.

Tufa ka marrë disa kërcënime për jetën për shkak të punës së tij që përfshin hetimin, studimin dhe publikimin e informacioneve mbi ekzekutimet jo gjyqësore të kryera nga forcat komuniste. Puna e tij ka shkaktuar zemërim tek Partia Socialiste, veçanërisht tek deputeti Spartak Braho i cili ishte anëtar i sistemit gjyqësor gjatë diktaturës komuniste. Qeveria, kohët e fundit, u përpoq të ndalojë studimin e Krimeve të Komunizmit të Luftës së Dytë Botërore dhe në mënyrë të përsëritur është përpjekur t’i ndalojë gazetarët dhe qytetarët të kenë qasje në dokumente ose të përpiqen të zbulojnë më shumë rreth asaj që ndodhi gjatë atyre kohërave.

Exit News bisedoi me Zotin Tufa për të zbuluar pse ai më në fund vendosi të largohej nga vendi.

Më thoni, pse vendosët të largoheshit nga Shqipëria?

Agron Tufa: Pas disa kërcënimeve me vdekje, në trajtë shkruar; pas kërcënimeve, fyerjeve, provokimeve për sherr në rrugë, në ambiente publike, pranë shtëpisë, gjatë lëvizjeve me makinë nëpër qytet; pas provokimeve që vinin nga funksionarë të lartë shtetërorë në mesazhet në celular, që këmbëngulnin për “një takim” për “të diskutuar” dhe, më pas, kanosja se “po nuk erdhe, do të publikojmë një video”; pasi ndjemë se rreziku u afrua shumë pranë derës së shtëpisë sonë, vendosa të largohem nga atdheu ku po më rrezikohej jeta dhe familja.

Keni marrë shumë kërcënime për shumë vite me radhë, përse vendosët të largoheshit vetëm tani?

Agron Tufa: Kam marrë mesazhe kërcënimi që nga prilli i vitit 2017. I kam denoncuar në Policinë e Shtetit, në sektorin e Krimit Kibernetik, por Prokuroria e Rrethit të Tiranës dha vendim për mosfillimin e hetimeve. Dy kërcënimet e fundit, që i përkasin shtatorit të këtij viti, njëra dërguar avokatit tim, për të dhe për mua dhe, mesazhi tjetër, që më dërgohej personalisht mua, u kallëzuan përkatësisht në Prokuroritë e rretheve Vlorë dhe Tiranë. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ndërkaq, gjyqi që kisha hapur që në prill të këtij viti ndaj agresorëve të mi nga salla e Kuvendit të Shqipërisë (deputetë, ish-deputetë, diplomat, ish-diplomatë, gazetarë dhe redaksi gazete) dhe në spektrin e shtypit shqiptar, i vijoi seancat pa bërë asnjë milimetër përpara deri në dhjetor të këtij viti. Ndërkaq, rregullisht u kam dërguar informacione mbi sulmet personale dhe institucionale Kuvendit të Shqipërisë dhe, në fillim të nëntorit të këtij viti, u nisa një informacion të detajuar me 16 faqe, në anglisht,10 ambasadave më në zë të akredituara në Tiranë, përfshij dhe ambasadën e BE-së dhe Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ku i vija në dijeni.
Duke qenë i vetëdijshëm se kërcënimi e rreziku vinte nga ish-oficerët operativë të Sigurimit të shtetit, që sot janë të shumtë e në krye të institucioneve kryesore të shtetit dhe në mungesë të çdo reagimi të organeve ligjzbatuese, të institucioneve të pavarura, që paguhen për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, apo, i braktisur nga çfarëdo alternativë mbrojtëse, vendosa të shpëtoj familjen time duke u larguar në kërkim të një azili politik.
Unë mendoj se edhe kafshët, kur ndjejnë se këlyshët e tyre janë në rrezik jete, e braktisin territorin e tyre, duke kërkuar një territor tjetër, më të sigurtë.

Kush i bën këto kërcënime dhe pse? Nëse kanë lidhje me qeverinë dhe pushtetin, atëherë kush?

Agron Tufa: Jua thashë më lart: instalimi në krye të institucioneve të larta shtetërore, të varura e të pavarura të ish-oficerëve operativë të Sigurimit famëkeq të shtetit, të cilët realisht e drejtojnë sot jetën politike e administrative. Dhe për këtë instalim, rikthim, ripërtëritje të kësaj dore të zezë, kanë përgjegjësi direkte Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Ata mendoj se i kanë sjellë vetëdijshëm këta vampirë të së shkuarës për të ushtruar terror psikik dhe verbal mbi njerëzit e lirë e të pavarur, mbi institucionet e pavarura dhe mendimin e lirë.

Pse mendoni se jeni vënë në shënjestrën e këtyre njerëzve?

Agron Tufa: Për shkak të detyrës, sigurisht. Detyra ime dhe e kolegëve të mi në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka qenë zbardhja e krimeve të gjithëfarëllojshme të kryera nga diktatura dhe Sigurimi i shtetit, bërja publike e këtyre krimeve, njohja e shoqërisë me emrat që i kanë kryer këto krime.
Unë si kreu i Ekzekutivit të ISKK nisa një operacion ligjor, bazuar në nenet e ligjit tonë organik nr. 10242 (të datës 25.2.2010), për marrjen e informacionit mbi praninë e këtyre ish-oficerëve të Sigurimit të diktaturës në strukturat e institucioneve tona demokratike, në administratën shtetërore, sidomos në institucionet e larta të rëndësisë së veçantë. E shtriva këtë kërkesë ligjore në mbi 110 institucione dhe adminstratën shtetërore në tërë Shqipërinë. Isha duke plotësuar pra, detyrimet ligjore e institucionale të Institutit që drejtoja. Me përjashtim të 2-3 institucioneve të rëndësishme që e dhanë informacionin e tyre konform ligjit, pjesa dërrmuese e institucioneve të larta në varësi të Kryeministrit dhe Parlamentit, mbi nëntëdhjetë e pesë përqind, refuzuan të përgjigjen, edhe pas këmbënguljes sonë për detyrimin ligjor. Për të gjithë këto refuzime, madje për çdo kërkesë, kemi vënë në dijeni ministrin e linjës, Kryeministrin dhe Kryetarin e Parlamentit. Prandaj them se pushtimi i administratës shtetërore dhe instituteve të varura apo të pavarura ka qenë pjesë strategjike e mirëmenduar e qeverisë, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit. Me 1 prill 2019 nisi fushata e kërcënimeve, shpifjeve, fyerjeve, një kryqëzatë e pashembullt linçimi nga salla e Kuvendit dhe në shtyp, e cila vazhdon edhe pas ikjes sime në po këtë frymë.

Mendoni se qeveria aktuale dëshiron të përligjë krimet e komunizmit? Pse?

Agron Tufa: Të gjitha sjelljet, arroganca demonstrative, inkurajimi i fushatës së kërcënimeve ndaj meje dhe ISKK dhe, nga ana tjetër, mosveprimi i shoqatave dhe instituteve të të drejtave të njeriut, që janë të kontrolluara nga qeveria, mosveprimi flagrant i organeve ligjzbatuese, i gjykatave, prokurorive, etj., etj., deri tek nxjerrja demonstrativisht në bulevardin kryesor të kryeqytetit të 100 portreteve të gjoja heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku gjysma e tyre ishin vrarë o vullnetarë në Spanjë, o për hasmëri, o në konflikt civil, asnjëherë përballë okupatorit, ose si oficerë operativë të Sigurimit të shtetit në ekspeditat ndëshkuese e nënshtruese ndaj malësorëve kryengritës, që bënin qëndresë kundër instalimit të diktaturës komuniste – të gjitha këto vërtetojnë se qeveria kërkon jo vetëm të përligjë krimet e komunizmit, por edhe të krenohet me to.

Çfarë mendoni për ish-anëtarët e Partisë Komuniste që mbajnë ende poste në pushtet dhe kanë ndikim në Shqipëri?

Agron Tufa: Mendoj se është një pisllëk mendor, prej të cilit vijnë të gjitha pisllëqet e tjera: pisllëku politik, estetik dhe etik. Është një katastrofë higjienike në shpirtin dhe perspektivën e shoqërisë shqiptare, një gungë në kurrizin e drobitur të Shqipërisë, një metastazë në perspektivën e gjeneratave të reja, një tumor malinj edhe për shumë gjenerata të tjera të ardhshme, sepse efekti i tyre është i ngjashëm si me vatrat toksike pas shpërthimit të centralit bërthamor të Çernobilit.

Çfarë mendoni për situatën aktuale në Shqipëri?

Agron Tufa: Mendoj se Shqipëria është kthyer në një diktaturë totalitare Oligarkike dhe Demagogjike. Një diktaturë totalitare hibride e amoralitetit më të skajshëm. Kjo vjen si pasojë e manipulimit të elitave tona politike e intelektuale, e bankrotit të tyre moral, e inkoherencës së tyre të thellë mbi vetëdijen dhe ndjenjën e perspektivës. Nuk mund të mos pritej ky format “intelektuali me uniformë”, siç i quan F. M. Dostojevski intelektualët “pro pushtet”. Meqenëse hapësira e lirisë politike në Shqipëri u privatizua nga partitë politike, që rrethrrotullohen perjetësisht duke shenjuar vetëm vetveten, çdo lloj ndryshimi politik u vështirësua në pamundësi dhe kështu, pak nga pak, ja ku e mbërritëm edhe Qorrsokakun: pushtetet lokale e qendrore, institucionet ligjzbatuese, asetet shtetërore e private kontrollohen nga një dorë: Kryeministri dhe Partia Socialiste (ish-Partia Komuniste, alias PPSH).

A ju kanë kërcënuar që nga koha që u larguat nga Shqipëria?

Agron Tufa: Ka vazhduar kërcënimi në një stilistikë më të troçët, madje në formulë përbetimi të tipit “Do të të gjejmë edhe në vrimën më të fundit ku ke shkuar për të kërkuar azil” (Braho, Brokaj); “Do t’i kërkojmë shtetit zviceran përmes ambasadës sonë atje dhe respektivisht ambasadës zvicerane në Shqipëri, që të mos e pranojnë Tufën. Madje jo vetëm në Zvicër, por në asnjë shtet”. (Brokaj). Një kërcënim tjetër, i bërë nga ish- ministri i Tregtisë së Brendshme në vitet 1982-1990, Osman Murati, shprehej tekstualisht kështu në mediat online nga mora unë informacionin: “Nëse bajga Tufa do të procedohej për krimin e akuzës që u ka bërë heronjve dhe dëshmorëve të luftës nacional-çlirimtare dhe Gjykata do ta dënonte me vdekje, unë do të propozoja që të bëhesha autori që t’i jepja plumbin kokës”.
Si duket, ish-komunistët (më saktë do të ishte të thonim “enveristët”) dhe ish-veglat e tyre si ish-Sigurimi i shtetit, kanë krijuar në pushtetin e Ramës aq siguri e vetëbesim, sa kanë kaluar në slang-un e tyre të parapëlqyer, atë që i deh këta vampirë: era e gjakut.

Çfarë shpresoni për të ardhmen tuaj?

Agron Tufa: Së pari, i shkëputur nga atdheu dhe mundësitë e punësimit që kisha atje, do të mundohem të mbijetoj ekonomikisht me familjen në këtë situatë të re. Së dyti, të dëshmoj e denoncoj krimet e komunizmit dhe njerëzit e veshur me pushtet që i inkurajojnë kriminelët, i bëjnë “drejtorë drejtorish” të terrorizojnë njerëz, që, ashtu si unë, kërkojnë të nxjerrin në dritë të vërtetën historike dhe t’i vënë asaj një emër. Dhe së treti, nëse gjej kohë pas punëve hipotetike që mund të bëj, të shkruaj letërsinë time, planet e mia krijuese.

 

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>