Investigimi i NY Times: Në sulmin me dron të SHBA-ve, dëshmitë sugjerojnë që nuk kishte bombë të ISIS

Investigimi i NY Times: Në sulmin me dron të SHBA-ve, dëshmitë sugjerojnë që nuk kishte bombë të ISIS

KABUL, Afganistan-Ishte raketa e fundit e njohur e lëshuar nga Shtetet e Bashkuara në luftën e saj 20-vjeçare në Afganistan, dhe ushtria e quajti atë një “goditje të drejtë”-një sulm me dron, pas disa orësh vëzhgimi më 29 gusht, kundër një automjeti që zyrtarët amerikanë menduan se përmbante një bombë të ISIS dhe përbënte një kërcënim të menjëhershëm ndaj trupave në aeroportin e Kabulit.

Por një hetim i provave video nga New York Times, së bashku me intervistat me mbi një duzinë bashkëpunëtorësh të shoferit dhe anëtarëve të familjes në Kabul, hedh dyshime në lidhje me versionin amerikan të ngjarjeve, përfshirë nëse eksplozivët ishin të pranishëm në makinë, nëse shoferi kishte lidhje me ISI-inS, dhe nëse kishte shpërthim të dytë pasi raketa goditi makinën.

Zyrtarët ushtarakë thanë se nuk e dinin identitetin e shoferit të makinës kur droni u lëshua, por e konsideruan të dyshimtë për shkak të mënyrës se si i interpretuan aktivitetet e tij atë ditë, duke thënë se me shumë gjasa ai vizitoi një shtëpi të sigurt të ISIS-it dhe, në një moment, ngarkoi çka mendohej se mund të keishte eksploziv në makinë.

Reporterët e Times e kanë identifikuar shoferin si Zemari Ahmadi, një punonjës i vjetër për një grup amerikan ndihme. Dëshmitë sugjerojnë se lëvizjet e tij atë ditë në të vërtetë përfshinin transportimin e kolegëve për dhe nga puna. Dhe një analizë e burimeve video tregoi se ajo që ushtria mund të ketë parë ishte z. Ahmadi dhe një koleg të tij duke ngarkuar bombola uji në bagazhin e tij, për t’ia sjellë familjes në shtëpi.

Ndërkohë që ushtria amerikane tha se sulmi me dron mund të ketë vrarë tre civilë, raportimi i Times tregon se ai vrau 10, përfshirë shtatë fëmijë, në një bllok të dendur banimi.

Ahmadi, 43 vjeç, kishte punuar që nga viti 2006 si inxhinier elektrik për Nutrition and Education International, një grup ndihme me bazë në Kaliforni. Në mëngjesin e goditjes, shefi i zotit Ahmadi  e thirri në zyrë rreth orës 8:45 të mëngjesit dhe i kërkoi të merrte laptopinme vete.

“E pyeta nëse ishte akoma në shtëpi, dhe ai tha po,” tha drejtori në një intervistë në zyrën e N.E.I. në Kabul. Ashtu si pjesa tjetër e kolegëve të zotit Ahmadi, ai foli në kushte anonimiteti për shkak të lidhjes me një kompani amerikane në Afganistan.

Sipas të afërmve të tij, atë mëngjes z. Ahmadi u nis për në punë rreth orës 9 të mëngjesit me një Corolla të bardhë të vitit 1996 që i përkiste N.E.I., duke ngarë makinën nga shtëpia e tij, ku jetonte me tre vëllezërit e tij dhe familjet e tyre, disa kilometra në perëndim të aeroportit.
Zyrtarët amerikanë thanë për The Times se ishte pikërisht në ato momente që objektivi i tyre, një sedan i bardhë, u vu nën vëzhgim, pasi u pa duke lënë një kompleks të identifikuar si një shtëpi e sigurt e ISIS -it rreth pesë kilometra në veriperëndim të aeroportit.

Është e paqartë nëse zyrtarët i referoheshin njërës prej tre ndalesave që z. Ahmadi bëri për të marrë dy pasagjerë dhe laptopin gjatë rrugës për në punë: Vendndodhja e fundit, shtëpia e drejtorit të vendit të NEI, ishte afër sulmit me raketa, të marrë përsipër nga ISIS, që do të fillonte kundër aeroportit mëngjesin e ardhshëm, nga një lëshues i improvizuar, i fshehur brenda bagazhit të një Toyota Corolla, një model i ngjashëm me automjetin e zotit Ahmadi.

Një reporter i Times vizitoi drejtorin në shtëpinë e tij dhe u takua me anëtarët e familjes së tij, të cilët thanë se ata kishin jetuar atje për 40 vjet. “Ne nuk kemi asnjë lidhje me terrorizmin apo ISIS-in,” tha drejtori, i cili gjithashtu ka një aplikim për zhvendosje drejt SHBA-ve. “Ne e duam Amerikën. Duam të shkojmë atje. ”

Gjatë gjithë ditës, një dron MQ-9 Reaper vazhdoi të gjurmonte automjetin e zotit Ahmadi teksa ushëtonte rreth Kabulit, dhe zyrtarët amerikanë pohuan se ata përgjuan komunikimet mes sedanit dhe shtëpisë së supozuar të ISIS-it, që e udhëzuan atë të bënte disa ndalesa.

Por njerëzit që udhëtuan me zotin Ahmadi atë ditë thanë se ajo që ushtria interpretoi si një seri lëvizjesh të dyshimta ishte thjesht një ditë normale pune.

Pasi ndaluan për të marrë mëngjesin, z. Ahmadi dhe dy pasagjerët e tij mbërritën në zyrën e NEI, ku pamjet e kamerave të sigurisë të siguruara nga The Times regjistruan mbërritjen e tyre në 9:35 të mëngjesit. Më vonë,  z. Ahmadi çoi disa bashkëpunëtorë në një stacion policie, të pushtuar nga talebanët, në qendër të qytetit, ku ata thanë se kërkuan leje për të shpërndarë ushqim për refugjatët në një park aty pranë. Z. Ahmadi dhe tre pasagjerët e tij u kthyen në zyrë rreth orës 2 pasdite.

Siç shihet nga pamjet e kamerave, zoti Ahmadi doli një gjysmë ore më vonë me një zorrë që po derdhte ujë. Me ndihmën e një roje, ai mbushi disa enë plastike të zbrazëta. Sipas bashkëpunëtorëve të tij, shpërndarja e ujit kishte ndaluar në lagjen e tij pas rënies së qeverisë dhe z. Ahmadi sillte ujë në shtëpi nga zyra.
“I mbusha kontejnerët vetë dhe e ndihmova t’i ngarkonte në bagazh,” tha roja.

Në orën 3:38 pasdite, roja dhe një bashkëpunëtor tjetër e lëvizën makinën më larg në vendkalim. Pamjet e kamerave përfundojnë menjëherë pas kësaj, kur zyra mbylli gjeneratorin e saj në fund të ditës së punës dhe z. Ahmadi dhe tre pasagjerë u nisën për në shtëpi.

merlin fd ed f aec dc jumbo
merlin fd ed f aec dc jumbo

Rreth kësaj kohe, zyrtarët amerikanë thanë se droni kishte gjurmuar zotin Ahmadi në një kompleks tetë deri në 12 kilometra në jugperëndim të aeroportit, një vend që përputhej me zyrën e N.E.I. Atje, ata thanë se droni vëzhgoi z. Ahmadi dhe tre të tjerë duke ngarkuar pako të rënda në makinë, të cilat ata besonin se mund të përmbanin eksploziv.

Por pasagjerët thanë se kishin vetëm dy laptopë me vete, të cilët i ngarkuan në automjet dhe se bagazhi nuk kishte ngarkesë tjetër, përveç kontejnerëve plastikë të mbushur me ujë, që ishin ngarkuar më herët. Në intervista të veçanta, të tre pasagjerët mohuan të kenë ngarkuar eksploziv në automjetin me të cilin do të udhëtonin për në shtëpi.

Sipas njërit prej pasagjerëve të zotit Ahmadi, një kolegu që udhëtonte rregullisht me të, udhëtimi për në shtëpi ishte i mbushur me të qeshurat dhe talljet e tyre të zakonshme, por me një ndryshim: Zoti Ahmadi e mbajti radion të fikur, pasi kishte frikë se mos binte në telashe me talebanët. “Atij i pëlqente muzika e hareshme,” tha kolegu. “Atë ditë, nuk mund të luanim muzikë në makinë.”

Ahmadi i la tre pasagjerët dhe pastaj u drejtua për në shtëpinë e tij, pranë aeroportit. “I kërkova që të hynte pak, por tha se ishte i lodhur,” tha pasagjeri i fundit.

Megjithëse zyrtarët amerikanë thanë se, në atë pikë, ende dinin pak për identitetin e zotit Ahmadi, ata ishin bindur se sedani i bardhë, që ai drejtonte, përbënte kërcënim të afërt për trupat në aeroport.

Kur zoti Ahmadi u fut në oborrin e shtëpisë së tij – që zyrtarët thanë se ishte ndryshe nga shtëpia e supozuar e ISIS -it – komanda taktike mori vendimin për të goditur automjetin e tij, duke lëshuar një raketë Hellfire rreth orës 4:50 pasdite.

Megjithëse objektivi ishte tani brenda një zone të banuar me popullsi të dendur, operatori i dronit shpejt skanoi dhe pa vetëm një mashkull të rritur të vetëm në automjet dhe për këtë arsye vlerësoi me “siguri të arsyeshme” që asnjë grua, fëmijë apo civilë nuk do të vritej, thanë zyrtarët amerikanë.
Por sipas të afërmve të tij, teksa zoti Ahmadi parkoi në oborrin e tij, disa nga fëmijët e tij dhe fëmijët e vëllezërve të tij dolën jashtë, të ngazëllyer për ta takuar dhe u ulën në makinë, ndërsa ai e fuste brenda. Vëllai i zotit Ahmadi, Romal ishte  i ulur në katin përdhes me gruan e tij, kur dëgjoi zhurmën e hapjes së portës dhe makinën e zotit Ahmadi duke hyrë. Kushëriri i tij i rritur, Naser kishte shkuar të merrte ujë për abdesin e tij dhe e përshëndeti.

Motori i makinës ishte ende duke punuar kur pati një shpërthim të papritur dhe dhoma u spërkat me xhama të thyer që hynë nga dritarja, kujton Romal. Ai u ngrit i tronditur në këmbë. “Ku janë fëmijët?” pyeti gruan e tij.

“Janë jashtë,” u përgjigj ajo.

Romali vrapoi në oborr; ai pa që nipi i tij Faysal, 16 vjeç, kishte rënë nga shkallët e jashtme, trupi dhe koka e tij kishin marr plagë të rënda nga fragmentet. “Ai nuk merrte frymë.”

Mes tymit dhe zjarrit, ai pa një tjetër nip të vdekur, para se të vinin fqinjët dhe ta tërhiqnin, tha ai.
Që prej goditjes, zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë justifikuar veprimet e tyre duke cituar një shpërthim edhe më të madh që ndodhi më pas.
“Për shkak se kishte shpërthime dytësore, mund të arrihet në përfundimin e arsyeshëm se kishte eksploziv në atë automjet,” tha kryetari i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Mark A. Milley, javën e kaluar.

Por një ekzaminim i skenës së shpërthimit, i kryer nga ekipi hetimor vizual i Times dhe një reporter i Times mëngjesin më pas, i ndjekur nga një vizitë e dytë katër ditë më vonë, nuk gjeti prova të një shpërthimi të dytë, më të fuqishëm.

Ekspertët që ekzaminuan fotot dhe videot vunë në dukje se, megjithëse kishte prova të qarta të një goditjeje me raketa dhe zjarrit të mëvonshëm të automjetit, nuk kishte mure të rrëzuara ose të shpërthyera, as bimësi të shkatërruar dhe kishte vetëm një vrimë në portën hyrëse, që dëshmonte për një valë të vetme goditëse.

“Vë në dyshim seriozisht besueshmërinë e inteligjencës ose teknologjisë së përdorur për të përcaktuar se ky ishte një objektiv legjitim,” tha Chris Cobb-Smith, një veteran i Ushtrisë Britanike dhe konsulent sigurie.

Ndërsa ushtria amerikane deri më tani ka pranuar vetëm tre viktima civile, të afërmit e zotit Ahmadi thanë se 10 anëtarë të familjes së tyre, përfshirë shtatë fëmijë, u vranë gjatë sulmit: z. Ahmadi dhe tre nga fëmijët e tij, Zamir, 20 vjeç, Faisal, 16, dhe Farzad, 10; Kushëriri i zotit Ahmadi, Naser, 30 vjeç; tre nga fëmijët e Romalit, Arëin, 7, Benyamin, 6 dhe Hayat, 2; dhe dy vajza 3-vjeçare, Malika dhe Somaya.

Fqinjët dhe një zyrtar shëndetësor afgan konfirmuan se trupat e fëmijëve u hoqën nga vendi. Ata thanë se shpërthimi kishte copëtuar shumicën e viktimave; fragmente të mbetjeve njerëzore u panë brenda dhe rreth kompleksit të nesërmen nga një reporter, përfshirë gjak dhe mish të spërkatur në muret dhe tavanet e brendshme. Familjarët e zotit Ahmadi na siguruan fotografi të disa trupave të djegur keq që u përkisnin fëmijëve.
Anëtarët e familjes pyesin se pse z. Ahmadi do të kishte një motiv për të sulmuar amerikanët kur ai kishte aplikuar tashmë për zhvendosje si refugjat në Shtetet e Bashkuara. Kushëriri i tij i rritur Naser, një ish kontraktues i ushtrisë amerikane, gjithashtu kishte aplikuar për zhvendosje. Ai kishte planifikuar të martohej me të fejuarën e tij, Samia, të premten e shkuar, në mënyrë që ajo të përfshihej në aplikimin e tij.

“Të gjithë ata ishin të pafajshëm,” tha Emal, vëllai i z. Ahmadi. “Ju thoni se ai ishte ISIS, por ai punoi për amerikanët.”

Shkrimi u botua origjinalisht në the New York Times.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>