
Ish-deputetja Albana Vokshi, kryetare e Lidhjes Demokrate të Gruas, dënoi ndryshimet antikushtetuese të Kodit Penal për dhunën në familje, miratuar nga shumica socialiste më 16 prill.
Në një postim në rrjetet sociale, Zonja Vokshi shkruan se ashpërsimi i masave për dhunën në familje janë thjeshtë propagandë e qeverisë që po tenton të mbulojë dështimin spektakolar me dhunën në familje:
“Problemi nuk qëndron te Kodi Penal e masat ndëshkuese. Problemi kryesor është që lufta kundër dhunës në familje nuk ka qene kurrë prioritet e nuk është marrë kurrë me seriozitet nga Qeveria Rama 1&2.
Nëse ke shkatërruar me sukses në 7 vite një mekanizëm të tërë referimi, masat e reja e të vjetra ndëshkuese, nuk bëjnë derman.”
Sipas Vokshit, qeveria Rama me politikat e saj ka shkatërruar mekanizmin e referimit të dhunës në familje dhe ka dobësuar institucionet që merren me këto raste.
Bazuar në statistika e viteve të fundit, kryetarja e LDG-së shkruan se rritja e masës së ndëshkimit të dhunuesve nuk ka sjellë uljen e numrit të rasteve të dhunës.
Në një studim të fundit të OSBE-së raportohet se 67% ose rreth 1 milionë gra në Shqipëri pësojnë një formë dhune. Janë mbi 2600 raste dhune në ditë, ku rreth 1800 raste mbeten të padenoncuara.