Ish-presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani, i ka kërkuar falje popullit të tij pasi iku për t’u strehuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Largimi nga Kabuli ishte vendimi më i vështirë i jetës sime,” tha ai.
Ghani u largua papritur nga Afganistani teksa militantët talebanë hynë në kryeqytet më 15 gusht.
Ai tha se nuk kishte ndërmend të braktiste njerëzit e tij, por “kjo ishte mënyra e vetme”.
Ai gjithashtu mohoi përsëri akuzat se ai kishte marrë me vete kur ishte larguar rreth 169 milionë dollarë.
Në një deklaratë të shpërndarë në Twitter të mërkurën, Ghani tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të largohej nga vendi në mënyrë që të shmangte përhapjen e dhunës.
Ai shtoi se shërbimi i tij i sigurisë e kishte këshilluar të largohej pasi nëse qëndronte rrezikonte që në Kabul të shpërthenin luftime.
Ish-presidenti tha se ishte dedikuar 20 vjet për të ndihmuar Afganistanin të bëhej një “shtet demokratik, i prosperuar dhe sovran”.
Ghani, i cili është përballur me kritika të ashpra nga politikanët e tjerë afganë për largimin nga vendi, tha se do të flasë për “ngjarjet që çuan në largimin tim” në të ardhmen e afërt.