Ish-të përndjekurit letër ONM-së, kundër ish-përndjekësve komunistë në drejtësi

Nga Exit News
Ish-të përndjekurit letër ONM-së, kundër ish-përndjekësve komunistë në drejtësi

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i shprehu sot Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi (ONM) shqetësim për implikimin në procese politike të diktaturës të disa prej drejtuesve të organeve të reja në drejtësi.

Përmes një letre të hapur të kryetarit të shoqatës, Nebil Çika, ish-të përndjekurit iu drejtuan shefes së ONM-së, Genoveva Ruiz-Cavalera.

Ata thanë se kanë konstatuar që gjatë procesit të vetingut dhe emërimeve në drejtësi është injoruar e shkuara e kandidatëve si persekutorë në procese politike të diktaturës.

“[…] me keqardhje dhe shqetësim konstatojmë se deri tani produkti i reformës nuk është ai që prisnim […] shqetësimi kryesor ka të bëjë me një fenomen që ne e konsiderojmë rrezik serioz për drejtësinë […]: Rikthimin në krye të sistemit të drejtësisë të autorëve të krimeve të komunizmit, krime kundër njerizimit dhe gjenocid dhe e gjitha kjo po ndodh në mos nën bekimin tuja nën miratimin tuaj të heshtur.”

Ish-të përndjekurit përmendin 6 raste ku kandidatët e promovuar lidhen me procese politike të diktaturës apo dhe me ish-Sigurimin e Shtetit:

  • Kryetari i SPAK-ut të Arben Krajës, ish hetues në Shkodër 1987-1992.
  • Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Thoma Jano, hetues në Krujë 1980-1991 autor i dhjetra proceseve hetimore politike komuniste.
  • Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvoranit, ish-prokuror komunist, ka dhënë dënime të rënda politike për kundërshtarët e regjimit përfshi edhe ata që rrëzuan bustin e Stalinit në vitin 1990.
  • Anëtarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Fatmira Luli, gjyqtare në kohën e diktaturës ka dënuar qytetarë pse morën pjesë në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 apo për hyrjen në ambasada.
  • Anëtari i Këshillit të Emërimeve në Prokurori Bujar Sheshi, ish-hetues i Sigurimit të Shtetit autor i shumë arrestimeve dhe dënimeve politike si hetues në Rrethin e Fierit, sipas AIDSSH edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
  • Anëtarja e Këshillit të Emërimeve në Prokurori Nurihan Seiti, gjyqtare e diktaturës komuniste, ka dënuar disa persona me akuzat e agjitacion propagandë dhe tentim arratisje nga kufiri.

Zoti Çika shprehet se nga informacionet që ka shoqata e tij Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) në proceset e vetingut dhe proceset e emërimeve në institucionet e reja, “ose i është shmangur verifikimit të pjesëmarrjes në krime të komunizmit ose është injoruar informacioni i përcjellë prej tyre”.

Ai vë në diskutim dijeninë apo mos-dijeninë e zonjës Ruiz-Cavalera për këto raste dhe thekson se kjo situatë ka vënë në pikëpyetje edhe vetë reformën në drejtësi.

“(Pa)Drejtësia shqiptare që po pretendoni të reformoni është zgjatim në këtë pothuaj demokraci i padrejtësisë komuniste dhe problemi nuk janë ligjet as institucionet, por standardi dhe mendësia komuniste e të bërit drejtësi që transmetohet në vazhdimësi kohore nga drejtuesit, hetues, gjykatës e prokurorë të diktuarës komuniste, të cilët po riciklohen edhe me të ashtuquajturën drejtësi e re.”

Ish-të përndjekurit kërkojnë reagim nga ONM-ja dhe mirëkuptim për shqetësimet e tyre. Për ta përshkruar më shkurt dhe me më tepër kuptim, zoti Çika përmendi fjalën e urtë: “Më mirë djepi bosh se shejtani brenda”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>