Ish zëvendëskancelari austriak dhe udhëheqësi i Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë (FPÖ) doli në gjyq të martën në Vienë për ndryshimin e një ligji në favor të pronarit të një spitali privat në këmbim të një donacioni për partinë e tij dhe një fundjave në jahtin e pronarit të spitalit.
Prokurorët pretendojnë se Heinz-Christian Strache pranoi një donacion prej 10,000 euro nga Walter Grubmüller dhe se të dy pretendohet se kanë përgatitur skemën e ryshfetit në jahtin e Grubmüller në ishullin grek të Korfuzit.
Grubmüller thuhet se propozoi një ndryshim në ligj i cili lejon klinikat si e tija të aplikonin për më shumë fonde qeveritare. Strache miratoi ligjin kur mori detyrën si zv.kancelar.
Të dy ata mohojnë akuzat. Strache u deklarua i pafajshëm të martën para gjykatës.
Çështja doli në dritë gjatë hetimit ndaj Strache që u nxit nga një skandal i vitit 2019, tani i quajtur Ibiza-gate, i cili rrëzoi qeverinë e mëparshme austriake.
Skandali shpërtheu kur doli një video e regjistruar fshehurazi, tregonte Strache duke u takuar në Ibiza me një grua e cila po paraqitej si mbesa e një oligarku rus. Ai premtoi kontrata fitimprurëse publike në këmbim të mbështetjes në fushatë për partinë e tij dhe madje sugjeroi që ajo të mund të blinte tabloidin e njohur të Austrisë, Kronen Zeitung dhe të siguronte një mbulim pozitiv të lajmeve për partinë e tij.
Strache më vonë pretendoi se ai ishte i dehur – dhe ndoshta edhe i droguar – në video, por megjithatë u dorëhoq nga posti që mbante në qeveri. Pas kësaj, koalicioni qeveritar midis partisë së tij dhe Partisë Popullore Austriake të qendrës së djathtë u prish.
Gjyqi pritet të zgjasë katër ditë. Nëse shpallet fajtor, Strache rrezikon të dënohet me pesë vjet burg.