Instituti i Shëndetit Publik ka filluar të kryejë 1330-1400 teste në ditë, duke trefishuar numrin e testimeve në krahasim me katër muajt e parë të pandemisë. Kështu u shpreh doktoresha Eugena Tomini, për emisionin ‘Me pak fjalë’, në Euronews.
“ISHP ka mbajtur peshën e jashtëzakonshme të kësaj pandemie, duke u mbështetur dhe nga laboratori mikrobiologjik në QSUT.
Aktualisht nga gushti deri tani, kemi një përqindje shumë të vogël të laboratorit privat, por dua tju garantoj që gati 95 për qind e asaj ç’ka raportohet është kapaciteti i plotë i ISHP-së”, sqaroi Tomini.
Doktoresha sqaroi se të gjitha mostrat me rezultat pozitiv nga laboratorët jopublikë duhet të vijnë nga këta laboratorë në ISHP:
“Ritestohen pranë ISHP-së dhe më pas ata konsiderohen si pozitivë nëse kemi të njëjtën diagnozë me laboratorin jopublik.
Kjo procedurë do të zgjasë deri në momentin e një fuqizimi të plotë të kapaciteteve të laboratorëve jopublikë për ta patur të certifikuar në mënyrë të plotë atë licence që kanë marrë”.
Tomini siguroi se “strategjia vjeshtë-dimër do të rrisë kapacitetet për testime. Ardhja e vjeshtës dhe dimrin e vështirëson dallimin e Covid-19 nga infeksionet e tjera respiratore, përfshirë dhe gripin.”