Në fillim të vitit 2017 hyri në fuqi marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për shkëmbimin automatik të të dhënave fiskale dhe bankare të qytetarëve të dy shteteve.
Kjo marrëveshje, sëbashku me ligjin e “Kontrollit të kompanive të huaja” dhe “Kthimit të taksave” krijon një kuadër legjislativ të plotë, i cili duhet të njihet dhe të respektohet nga qytetarët shqiptarë ose italianë që veprojnë në Itali ose Shqipëri për të shmangur gjoba dhe probleme fiskale në vendin ku ushtrojnë aktivitetin.
Pasojat mund të jenë të mëdha për qytetarët italianë që, ndoshta me mendjelehtësi ose duke përfituar nga mos aksesi në të dhënat shqiptare, kanë operuar në Shqipëri dhe nuk kanë deklaruar fitimin e tyre për institucionet italiane.
Marrëveshja është pjesë e vendimeve të G20 për të frenuar përdorimin nga ana e taksapaguesve të parajsave fiskale për të ulur nivelin ose për të mos paguar taksat e nevojshme. Ky lloj komunikimi i të dhënave nuk ndodhte më parë duke i krijuar lehtësi kompanive për fshehjen e fitimeve dhe rrjedhimisht të taksave që duhet paguar.
Pothuaj të gjithë vendet e konsideruara si vende me sistem të lehtësuar fiskal, për të mos bërë pjesë në listën e zezë, firmosin marrëveshje të shkëmbimit të informacionit me institucionet fiskale të vendit ku zhvillohet aktiviteti tregtar.
Shoqata e Sipërmarrësve Italianë ka organizuar gjatë ditëve të shkuara një seminar në Durrës, për t’i ofruar më shumë informacion rreth marrëveshjes sipërmarrësve italianë që operojnë në Shqipëri.
Duke parë interesin e lartë të biznesmeneve italianë, Shoqata e Sipërmarrësve Italianë ka vendosur të organizojë një seminar tjetër në Tiranë, në ditët në vijim. Për më shumë informacion mund të drejtoheni tek adresa [email protected], ose në faqen në Facebook Confimi Albania.