Rreth 10 muaj pas të infektuarit të parë zyrtar me Covid-19, Italia nisi të dielën, vaksinimin e popullsisë.
Tre punonjës shëndetësorë në spitalin Spallanzani të Romës ishin të parët që morën dozën e parë të vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech.
“Vaksina shkoi shumë mirë dhe ishte një moment historik emocionues,” tha infermierja 29-vjeçare Claudia Alivernini për televizionin shtetëror RaiNews24.
“Është fillimi i fundit dhe shpresoj të jem e pari nga mbi 60 milion italianë që pritet të vaksinohen”.
Italia, të enjten, u bë vendi i tetë në botë që tejkalon 2 milion të infektuar me Covid-19. Ajo ka raportuar 70,909 vdekje, numri më i lartë në Evropë dhe i pesti më i lartë në botë.
Vaksina do të jetë falas dhe punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit do të jenë të parët që do të vaksinohen.